Philippe Lazzarini, komisioneri i përgjithshëm i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Ndihmë dhe Punë, ka folur për situatën e rëndë në Rripin e Gazës të dielën, duke theksuar krizën kritike humanitare.
Lazzarini theksoi se Gazës po i mbaron me shpejtësi uji dhe energjia elektrike dhe popullsia përballet me mungesa të mëdha ushqimore dhe ilaçesh, shkruajnë mediat e huaja.
“Gaza ‘po mbytet’ dhe duket se bota tani e ka humbur humanitetin e saj. Nëse shikojmë çështjen e ujit – të gjithë e dimë se uji është jetë – Gazës po i mbaron uji dhe Gazës po i mbaron jeta”, tha Lazzarini.
Ai përshkroi një katastrofë të paprecedentë humanitare me mijëra njerëz që kërkojnë strehim në objektet e UNRWA-s, ndërkohë që burimet po shpenzohen.
“Numri i njerëzve që kërkojnë strehim në shkollat tona dhe objektet e tjera të UNRWA në jug është absolutisht dërrmues dhe ne nuk kemi më kapacitet për t’u marrë me ta”, shtoi ai.
Ndryshe, ushtria izraelite u tha 1.1 milion njerëzve që të largohen nga Gaza veriore e populluar dendur, duke përfshirë qytetin e Gazës, dhe të zhvendosen në jug të rripit.
Por Kombet e Bashkuara thanë se udhëzimi do të shkaktonte “pasoja shkatërruese humanitare”.
/TV Arbëria