Shkruan: Afrim Kasolli
Ekzistojnë momente të veçanta dhe muaj të tillë, kur më shumë se zakonisht imponohen brengat, pandehmat dhe dilemat shpirtërore e filozofike mbi kuptimin, ekzistencën, fatin jetësor etj etj. Në muajin tetor mbase këto tema bëhen më “vrastare” ngase edhe për shkak se e kanë ditëlindjen disa mendimtarë të spikatur, që më shumë se të tjerët i zhdrivilluan çështje të tilla. Sot është dita e lindjes së Friedrich Nietzsches.
Filozofi gjerman u lind me 15 Tetor të vitit 1844. Po ashtu në këtë ditë është edhe data e lindjes së Michel Foucault. Ky mendimtar francez, u lind me 15 Tetor, të vitit 1926. Kurse dje ishte dita e lindjes së Hannah Arendt. Secili prej tyre u dalluan me risitë që i sollën në mendimin filozofik bashkëkohor.
Kështu, Friedrich Nietzche e u dallua me inaugurimin e temës mbi rikthimit të amshueshëm të së njëjtës, vullnetin për pushtet, mbinjeriun, kritikën gjeanologjike të moralit, vdekjen e Zotit etj etj, Për Martin Heidegger-in, Friedrich Nietzsche, ishte një mendimtar tipik i metafizikës perëndimore. Por që me të, kjo trashëgimi e kishte arritur fundin e saj. Filozofimet e tij mbi rikthimin e amshueshëm të së njëjtës dhe vullnetin për pushtet, janë shprehje eksplicite e kësaj tradite.
Është cilësi e mendimtarëve të veçantë, thotë M.Heidegger në punimin e tij, “The Will to Power as Knowledge and as Metaphysics”, që ata ta kenë një mendim të vetëm, një mendim i cili është gjithmonë rreth qenieve si tërësi. Për dallim nga shkrimtarët, hulumtuesit dhe shkencëtarët që kanë shumë e shumë mendime, mendimtarët rrëmbehen nga një mendim i vetëm dhe i “njëanshëm”. Dhe kjo traditë daton që nga fillesat e mendimit perëndimor.
Ajo është pasqyruar, më mirë se nga askush tjetër, nga Periander-i i Corinth-it, i cili konsiderohej si një nga shtatë te urtët e parë, kur kishte pohuar “ “Meleta to pan” që nënkupton një përkujdesje për tërësinë e qenieve.
Jo më pak relevante, janë edhe përsiatjet e këtij mendimtari mbi rolin e partive politike në jetën moderne. Ai shkruante se “karakteri demagogjik dhe synimi për të ndikuar mbi masat është sot i përbashkët te të gjithë partitë politike: të gjitha ato janë të detyruara, për shkak të këtij synimi, t’i shndërrojnë parimet e tyre në afreske të mëdha budallallëku dhe t’i vizatojnë mbi mur” . Ndërkaq, disa nga mendimet e tij mbi pasionet politike revolucionare, mbase janë paralajmërimi më i mirë i mundshëm mbi pasojat që mund të ketë kjo gjuhë mesianike përndezëse.
Sipas Nietzches, “ka fantazistë politikë dhe shoqërorë të cilët nxisin me zjarr dhe gojëtari përmbysjen e të gjitha institucioneve, duke besuar se atëherë do të ngrihet, si të thuash, vetvetiu tempulli më krenar i njerëzimit më të lartë. Në këto ëndrra të rrezikshme tingëllon ende një jehonë e besëtytnisë së Rusoit, që besonte në një mirësi mrrekullibërse, e cila vinte prej natyrës njerëzore, por kjo mirësi ishte, si të thuash, e varrosur, dhe ia vinte fajin kësaj varrosje institucioneve të qytetërimit, në shoqëri, shtet dhe në edukim. Për fat të keq, dihet nga përvoja historike se çdo kthesë e tillë rrënjësore ringjall energjitë më të egra, tmerret dhe shfrenimet e kohërave të lashta, të varrosura për një periudhë të gjatë; dhe se një revolucion mund të jetë një burim force për një njerëzim të flashkur, po kurrë një lëvizje rregullatore, ndërtuese, artistike, përsosëse e na-tyrës njerëzore”.
Kurse tezat e Michel Foucault, lidhur me gjeanologjinë e pushtetit dhe arkeologjinë e dijes, as që mund të paramendohen pa influencën e filozofit gjerman të shekullit 19, por që kaloi në amshim në fillim të shekullit 20. Po ashtu M. Foucault me filozofimet e tij mbi historinë e çmendurisë, seksualitetit dhe mbi lindjen e disiplinave, më shumë se askush tjetër, na ka treguar për efektet që kanë ushtruar tentakulat formave të pushtetit disiplinor në subjektifikimin e qenieve njerëzore.
Ndërkohë, nuk është se M.Foucalt nuk e kërkonte çlirimin e njeriut nga ingranazhi i këtyre mikro-pushteteve që operojnë sipas arkitekturës së burgut. Mirëpo ai besonte se vetmja mundësi për shtegdalje nga trsynia që ushtrojnë këto mekanizma ishte riafirmimi i postulateve të iluminizmit. Prandaj, edhe ky mendimtar në fund iu rikthye eseut të njohur “Ç’është Iluminizmi?” (Was ist Aufklärung?) të Immanuel Kantit.
Për filozofin gjerman, ky projekt shënon daljen e njeriut nga gjendja e infantilitetit me anë të përdorimit të arsyes. Pra të mësuarit për të menduar me kokën e vetë nga secili njeri në mënyrë autonome. Sepse, çdo ndryshim që mund të ndodh në një ambient ku publiku nuk e ka përvetësuar këtë ideal s’paraqet ndonjë përparim.
Me këtë rast, I.Kanti pohon se “një publik mund të mbërrijë vetëm ngadalë tek iluminizmi. Nëpërmjet një revolucioni do të realizohet ndoshta një rënie e despotizmit të personit dhe shtypjes, e cila ishte e etur për fitime dhe për sundim. por asnjëherë nuk do të realizohet dot reforma e vërtetë e mënyrës së të menduarit; përkundrazi paragjykimet e reja do të shërbejnë, pikërisht sikur të vjetrat, si fill drejtues i turmës së madhe që s’ka mendime”.
Është interesante kjo ngjashmëri ndërmjet dy filozofëve gjermanë mbi rreziqet që pozojnë, sipas tyre, përmbysjet revolucionare, përkundër dallimeve që kishin pasur ndërmjet vete.
Mbase kjo është arsyeja që M.Fuko, insistonte që disa nga parimet e projektit iluminist, të çliruara nga pesha e tyre transcendentale, por më shumë të pleksura me metodën gjeanologjike dhe historike, duhet të na shërbejnë si udhërrëfim edhe për rrethanat tona. Në këtë mënyrë M.Foucalt synonte ta sintetizonte gjeanologjinë nietzcheane me arsyen jo transcendentale kantiane, si metodë e rezistencës ndaj pushtetit dhe kriter për vetëformimin e njeriut.
E zëvendësimi i vetënjohjes si ideal filozofik, i cili daton që nga tradita sokratike, me projektin e vetëkrijimit poetik nietzchean, ishte edhe intenca e filozofit të njohur amerikan neo-pragmatist, Richard Rorty, që po ashtu e kishte ditëlindjen me 4 tetor, ngase ishte i lindur në këtë datë, të vitit 1931.
Për dallim nga këta dekonstruktues të metafizikës tradicionale, mendimtarja e dalluar Hannah Arendt, u angazhua që ta zëvendësonte kategorinë qendrore metafizike të mortalitetit me atë politike të natalitetit, lindjes së re. Sepse sipas saj, kishte të drejtë Shën Augustini, kur kishte pohuar, “që fillimi të jetë i mundur, është krijuar njeriut” Dhe nuk ka dyshim, se të gjithë këta emra që u lindën në muajin tetor, shënuan një fillim të ri dhe e hapën shtigje të reja, me anë të vetëkrijimit të tyre mendor, filozofik dhe artistik. Dhe secili sipas mënyrës së tyre shtruan rugë autentike, duke treguar se çlirimi nga prangat e së kaluarës, aftësia për të menduar në mënyrë të pavarur dhe kapaciteti për veprim e formojnë boshtin e kuptimit qenësor të ekzistencës njerëzore.
/TV Arbëria