Klubi rumun, Rapid Bukuresht ka dhënë një njoftim të gjatë në lidhje me lëndimin e sulmuesit të Kosovës, Albion Rrahmani, i cili pritet të operohet të hënën dhe do të mungojë së paku tre muaj.
Rrahmani luajti nga minuta e parë të enjten në ndeshjen e Kosovës në udhëtim te Andorra, e cila ishte e vlefshme për kualifikimet e Euro 2024 dhe u mbyll me fitoren e Dardanëve me rezultat 0-3.
Megjithatë, jo gjithçka shkoi mirë për sulmuesin llapjan, i cili u detyrua ta lëshoj fushën i lënduar dhe tashmë ka ardhur konfirmimi i lëndimit edhe nga klubi i tij rumun.
“Lewa debutoi si titullar te Përfaqësuesja e Kosovës edhe në ndeshjen kundër Andorrës, në kuadër të Kampionatit Evropian. Një natë që duhej të ishte perfekte për Albionin u kthye në një natë të trishtë, pasi në minutën e 65-të, një kundërshtar e fauloi dhe lojtari ynë u detyrua të largohej nga fusha”.
“I sjellë urgjentisht me një aeroplan privat, të vënë në dispozicion nga klubi, Albioni kreu menjëherë kontrollet mjekësore, pas të cilave diagnoza ishte frakturë ekuivalente bimaleolare e këmbës së djathtë”.
“Ky rezultat do të thotë të paktën tre muaj jashtë fushës për golashënuesin e Rapidit, i cili ka shënuar 6 herë në 7 ndeshjet e luajtura për ngjyrën vishnje”.
“Rrahmani do t’i nënshtrohet një operacioni të hënën nga Vlad Georgeanu, një nga specialistët më të mirë të ortopedisë në vend, i cili gjithashtu ka shëruar Jayson Papeau në një kohë më të shkurtër nga sa pritej fillimisht”.
“Jemi 100% me Albionin, të cilit do t’i japim të gjitha kushtet dhe mbështetjen dhe jemi të sigurt që do të kthehet shumë më i fortë në fushë!”, mbyllet njoftimi i klubit rumun.
/TV Arbëria