Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut në futboll do të luajë nesër (e shtunë) me Ukrainën për ndeshjen e vlefshme të eliminatoreve për Kampionatin Evropian 2024. Kjo ndeshje do të luhet në Pragë të Çekisë, përderisa një ditë para këtij takimi të rëndësishëm për të dyja ekipet përfaqësuese, nga tabori i Maqedonisë ka folur kapiteni, Enis Bardhi.
Shkupjani thotë se ata duhet të fokusohen vetëm te ekipi i Maqedonisë dhe se të gjithë duhet të marrin përgjegjësi mbi vete, pasi pa presion nuk mund të luash.
“Ukraina është një përfaqësuese shumë cilësore, ka lojtarë të mirë. Ne nuk mendojmë për mungesat e tyre, ne mendojmë vetëm për ekipin tonë. Ne gjithmonë diskutojmë dobësitë tona dhe si të përmirësohemi”, ka thënë fillimisht Bardhi në konferencën për shtyp.
“Po flasim për mentalitetin që duam të ndryshojmë, u konsoliduam dhe e kaluam humbjen e qershorit. Vetëm pse kemi veshur fanellën e përfaqësueses do të thotë se jemi lojtarët më të mirë për momentin, nuk duhet më tepër motivim”.
“Me Ukrainën po luajmë një tjetër ndeshje të rëndësishme për ne, ndaj duam një rezultat pozitiv. Mendoj se në duelin e parë kemi pasur një rënie të përqendrimit, në disa gjëra të vogla që mund të ndëshkohen”.
“Të gjithë do të marrim përgjegjësi, e dimë se sa do të thotë për ne kjo ndeshje dhe pa presion nuk mund të luash”, përfundoi kapiteni i Maqedonisë.
Ndeshja ndërmjet Ukrainës dhe Maqedonisë do të luhet nesër në ‘Epet Arena” të Pragës, duke nisur nga ora 15:00.
/TV Arbëria