Zhvillimet në veri të Kosovës morën një vëmendje të veçantë në takimin e ministrave të Mbrojtjes së vendeve të NATO-s, që u mbajt në selinë e NATO-s, në Bruksel.
Si pjesë e këtij takimi, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi shprehu angazhimin e vendit tonë për zbatimin e vendimeve të marra në Samitin e Vilnusit mbi zhvillimin e planeve rajonale dhe strukturën e re të forcave, si dhe theksoi rëndësinë që ka realizimi i të gjithë familjes së planeve të shkurajimit dhe mbrojtjes, për të garantuar Aleancën nga kërcënimet e mundshme.
Në zbatim të modelit të ri të forcave të NATO-s, është miratuar struktura e re e Forcave të Armatosura, si dhe do të kontribuojmë në zbatimin e planeve duke përshtatur praktikat tona dhe vendosur në dispozicion infrastrukturën kritike si ajo e Bazës së Kuçovës, portin e Porto Romanos dhe ndërtimi i Korridorit VIII.
Sipas ministrit Peleshi, “Shqipëria ka një vullnet politik të qartë dhe do të vijojë të mbështesë me një qasje gjithëpërfshirëse masat për forcimin e deterencës dhe mbrojtjes, duke rritur edhe më tej kontributin në operacione dhe në misione si në Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë, Irak, në Vigjilencën e Përforcuar të NATO-s në Bullgari, Rumani dhe në detin Mesdhe”.
Duke u fokusuar në situatën mbi Ballkanin Perëndimor, ministri Peleshi gjatë fjalës së tij dënoi me ashpërsi sulmin e sofistikuar terrorist në Veri të Kosovës, si një tentativë për destabilizimin e rajonit. Për më tepër, shtoi ai, reagimi i Beogradit duke heroizuar sulmuesit e 24 shtatorit në Banjska si dhe dërgimi i trupave dhe kapaciteteve ushtarake afër kufijve të Kosovës janë ngjarje të papranueshme dhe të dënueshme, prandaj BE-ja veçanërisht duhet të mbajë një qëndrim të prerë ndaj akteve të tilla dhe të shprehet hapur ndaj qeverisë serbe.