Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka lavdëruar punën e qeverisjes së tij në sektorin e bujqësisë.
Në një postim në Facebook, i pari i qeverisë ka theksuar se për dy vjet e gjysmë qeverisjeje kanë shënuar rekord të të mbjellave që prej pasluftës.
“Në krahasim me dy vjet më parë, sipërfaqet e të mbjellave me drithëra janë rritur për gati 2/3. Sepse përkrahjen me subvencione për bujqit dhe fermerët e kemi rritur deri në 216%”, ka shkruar Kurti.
Ai ka bërë të ditur se mbi 214 milionë euro është vlera e mbështetjes financiare për bujqit deri më tani, ndërsa për herë të parë kanë subvencionuar naftën dhe plehun bujqësor.
“Sigurimeve bujqësore u janë shtuar edhe gjashtë kultura të reja, kurse primin e sigurimit e kemi subvencionuar për 75%”, është shprehur Kurti.
Kryeministri poashtu ka shtuar se aplikimi për subvencione dhe grante është bërë më i lehtë.
“Keqpërdorimet, padrejtësitë dhe korrupsioni janë ndalur. Gjasat për të përfituar bujqit dhe fermerët meritorë janë rritur. Për herë të parë janë aprovuar 50% të aplikimeve për grante, teksa numri i fermerëve të mbështetur çdo vit është mbi 30 mijë. Fermeri i Kosovës sot, është fermeri më i përkrahur në rajon”, ka përfunduar Kurti.
/TV Arbëria