Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Politika > ZPS planifikon ndryshim të dëshmitarëve të javës së ardhshme në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

ZPS planifikon ndryshim të dëshmitarëve të javës së ardhshme në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

(Përditësuar, ora 16:42)- Ka përfunduar në sesion privat seanca e së mërkurës në të cilën u dëgjua dëshmitari 30-të i Prokurorisë në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Në pjesën kur seanca ishte e hapur, prokurori i specializuar, Matt Halling njoftoi se po planifikojnë ndryshim të dëshmitarëve të javës së ardhshme, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai tha se në fillim të përfundohet marrja e dëshmisë së dëshmitarëve që ishin llogaritur për këtë javë, e pastaj nëse është nevoja të vazhdohet me dëshmitarin rezervë me kodin 00208.

“Ka pasur shumë interes nga mbrojtja sa i takon dëshmitarëve të javës tjetër duke marrë parasysh vendimin 1851 dhe urdhrave që u dhanë sot paradite. Vetëm për procesverbal do t’iu them, do të iu çojmë edhe një postë elektronike. Ne po parashikojmë që të bëjmë një ndryshim të dëshmitarëve për javën e radhës. Si fillim të përfundojnë dëshmitarët që ishin llogaritur për këtë javë dhe dëshmitari i seancës së sotme dhe pastaj në qoftë se është nevoja të vijë dëshmitari rezervë 00208”, tha prokurori Halling.

Kjo gjë u konfirmua nga kryetari i trupit gjykues Charles Smith III dhe më pas u ftua dëshmitari i 30-të që ta japë dëshminë në seancë private.

Në fund të seancës, mbrojtja e Jakup Krasniqit e ka njoftuar trupin gjykues se klienti i tij do ta ndjek seancën e nesërme përmes video-lidhjes.

Seanca e nesërme, do të vazhdojë përsëri me dëshminë e dëshmitarit të 30-të.

Ish-pjesëtari i UÇK-së vazhdon dëshminë në seancë të mbyllur, në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

(Përditësuar, ora 14:13)- Dëshmitari i 30-të në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e ka vazhduar dëshminë e tij në seancë të mbyllur.

Kjo pasi, një gjë të tillë e ka kërkuar prokurori Matt Halling dhe kjo është aprovuar nga kryetari i trupit gjykues Charles Smith III, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëgjimi i këtij dëshmitari do të vazhdojë pas pauzës së drekës.

Nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, është thënë se ky dëshmitar se është ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe është i mbrojtur.

Dëshmitari i 30-të i mbrojtur në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, është ish-pjesëtar i UÇK-së

(Përditësuar, ora 12:37)- Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, ka filluar dëshminë e tij dëshmitari i 30-të i Prokurorisë me kodin W04769. Sipas përmbledhjes së lexuar në gjykatë, dëshmitari është ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), dëshmia e të cilit, ndër të tjera, ka të bëjë me strukturën komanduese të UÇK-së në Shqipëri dhe në zonën e Pashtrikut.

Këtë dëshmitar, ka filluar ta marrë në pyetje prokurori special, Matt Halling, i cili e ka pyetur lidhur me një intervistë të cilën ai e ka dhënë në Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe për disa plotësim-ndryshime të saj që janë bërë.

Kjo është konfirmuar edhe nga dëshmitari i 30-të, i cili është i mbrojtur, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas kësaj, prokurori Halling ka kërkuar nga trupi gjykues që kjo intervistë dhe dokumentet përcjellëse të pranohen si prova materiale.

“Të nderuar gjykatës, pasi kemi përmbushur kriteret e rregullës 154 dhe në përputhje me vendimin F01700, ZPS-ja kërkon që të regjistrohen në prova materiale të gjithë pjesët e intervistës së ZPS-së dhe shënimi përgatitor 1 që është dokumenti me ERN 116066 dhe 116071 gjithashtu kërkojmë që të pranohen prova materiale edhe dokumentet shoqëruese në intervistë”, tha prokurori Halling.

Paraprakisht, pasi u vendos që dëshmitari i 29-të ta vazhdojë dëshminë të hënën, trupi gjykues konfirmoi se një dëshmitar tjetër është i gatshëm të ofrojë dëshminë e tij.

Mirëpo, mbrojtja kërkoi që për kundërpyetjet që do ia drejtojnë dëshmitarit të 30-të duhet të përgatiten deri të hënën, përveç avokatit mbrojtës të Kadri Vesilit, Ben Emmerson, i cili tha se është i gatshëm të enjten në mëngjes.

Prokuroria ka vlerësuar që i duhen dy orë për ta marrë në pyetje, ndërsa vlerësimet e mbrojtjes kanë qenë në mënyrë të përgjithshme që i duhen 13 orë për ta marrë në pyetje këtë dëshmitar.

Kërkoi një muaj kohë, dëshmitari i 29-të në rastin Thaçi dhe të tjerët do të vazhdojnë dëshminë më 16 tetor

(Përditësuar, ora 12:14)- Pas disa pjesëve të seancave të mbyllura dhe pushimeve, trupi gjykues ka vendosur që dëshmitari i mbrojtur i Prokurorisë, i 29-ti me radhë, të mos e vazhdojë sot dëshminë, por të hënën (16 tetor).

Pas këtij vendimi të cilin e bëri të ditur kryetari i trupit gjykues Charles Smith III, dëshmitari i mbrojtur deklaroi se i duhet një muaj kohë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“E kuptoj, edhe ju duhet ta kuptoni që mua më duhet një muaj ditë kohë”, tha dëshmitari i 29-të.

Por, kjo kërkesë u kundërshtua nga trupi gjykues. Ndërsa, dëshmitari tha se nuk ka zgjidhje tjetër përveç se të shkojë në burg.

“Ju i dini masat e juaja edhe vazhdone procesin edhe drejtomni ato, ju thashë edhe më herët, në burg edhe s’ka tjetër, gjendja ime nuk është e mirë”, tha dëshmitari i mbrojtur.

Paraprakisht, kryetari i trupit gjykues tha se dëshmitari duhet të mbetet në juridiksionin e kësaj gjykate, në mënyrë që të jetë në dispozicion për të kontaktuar me avokatin mbrojtës.

“Dëshmitari mbetet në juridiksionin e kësaj gjykate në mënyrë që të jetë në dispozicion për të kontaktuar me avokatin mbrojtës dhe në mënyre që të ketë ndihmë psikiatrike dhe të sigurisë nëse lind nevoja”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

Kujtojmë se, me fillimin e seancës avokati mbështetës ka kërkuar që të bëjë një deklaratë në sallën e gjyqit, e cila vazhdoi në seancë private.

Avokati mbështetës i dëshmitarit të 29-të: Klienti im nuk është i gatshëm të dëshmojë, por i gatshëm të shkojë në burg

(Përditësuar, ora 10:36)- Avokati mbështetës i dëshmitarit të 29-të, ka thënë se klienti i tij nuk po ndjehet mirë, duke thënë se ai nuk është i gatshëm të dëshmojë, por është i gatshëm të shkojë në burg.

/TV Arbëria

Powered by WordPress