11 Tetori i vitit 2015 do të hyjë në kalendarin e datave historike të Shqipërisë, si dita kur kombëtarja kuqezi kualifikohet në EURO 2016, hera e parë për perfaqësuesen tonë në një kampionat Europian.
Kuqezinjtë tanë u ndeshën kundër Armenisë dhe triumfuan me shifrat 0-3.
Duke qenë se ishte shansi i fundit për në Francë, De Biasi provoi ta sulmonte që në fillim kundërshtarin, duke hedhur që nga minuta e parë në fushë, Roshin, Gashin dhe Cikalleshin.
Në minutën e 9’ Armenët shënuan një autogol, shkruan abcnews.
Në minutën e 23’ ishte Gjimshiti i cili dyfishoi shifrat dhe mbylli pjesën e parë në avantazhin e kuqeznjve.
Armando Sadiku ishte autori i golit të tretë në minutën e 76’, duke bërë kështu që një Shqipëri e tërë të shpërthente në festë.
Atë natë nuk kishte gjumë në çdo rrugë të qytetit Shqiptar, por edhe të Kosovës. Rrugët e Tiranës u mbushën plot me tifozë të cilët zbarkuan për të festuar këtë fitore dhe kualifikim historik.
Trafiku i rënduar zgjati disa orë, deri pas mesnate, por gëzimi ishte i jashtëzakonshëm në fytyrat e çdo qytetari shqiptar. Buritë e makinave që gumëzhonin, brohoritjet me të gjithë forcën e kordave të zërit, flamujtë kuqezi që valviteshin nga çdo dritare makine, ballkoni banese apo në rrugë.
Një natë që nuk do të harrohej dhe as nuk harrohet ende nga çdo shqiptar. Ditën e nesërme, datë 12 tetor 2023, Shqipëria do të luajë në “Air Albania” kundër Çekisë, ndeshje e vlefshme për kualifikueset e Euro 2024.
Sfida është tepër e rëndësishme, jo vendimtare si ajo me Armeninë, por një trampolinë për të besuar për një kualifikim të dytë në këtë kompeticion madhor të organizuar nga UEFA.
Sot, kombëtarja shqiptare ka një dallim të madh nga ajo e vitit 2015.
Djemtë tanë janë më teknikë, më energjikë, më të talentuar dhe shpresa është ende më e madhe se këtë herë do ia dalim përsëri.
Armando Broja, Myrto Uzuni, Kristjan Asllani, Nedim Bajrami, Jasir Asani etj, të gjithë kanë një qëllim të përbashkët dhe zemra e tyre rreh fortë deri në fërshëllimën e fundit, atëherë kur kombëtarja Shqiptare të provojë përsëri aromën e një kampionati europian.
Me ardhjen e trajnerit brazilian në krye të detyrës, Sylvinho, shumë gjëra ndryshuan në skuadrën e kuqezinjve.
Një profesionalizëm i jashtëzakonshëm, një samba braziliane doli nga venat e Sylvinhos dhe i injektoi në trupat e “legjionarëve” tanë.
Një frymë ekipore, një lojë fantastike, një talent i jashtëzakonshëm që derdhet në fushën e blertë nga të gjithë lojtarët e kombëtares, është një shenjë se bashkimi i grupit dhe besimi që u jep trajneri, në fund nxjerrin rezultatin pozitiv.
Ende asgjë s’ka mbaruar, pasi janë edhe tre sfida, tre finale për t’u luajtur.
Por shpresa është tepër e madhe se kualifikimi për në Gjermani do të jetë i prekshëm, ndoshta pse jo, edhe me një ecuri më të gjatë në këtë kompeticion.
/TV Arbëria