Sapo ka dalë nga shtypi libri “Ekuilibri letrar” (2023) i Nysret Krasniqit. Ky studim ka për bosht tematik “mbrojtjen” e ligjësive specifike të letërsisë.
Etikë e intencë e tij është konceptualiteti estetik i artit letrar si fenomen primordial i qenies për ta ruajtur dhembjen shpirtërore.
Dhembjet shpirtërore marrin forma individuale me trashëgimi arketipore në vepra letrare, për t’u shndërruar në kujtesë e rikujtesë universale. Kujtesa dhe rikujtesa, kur jetësohen në vepra artistike e ruajnë misterin e vetërregullimit dhe të shndërrimit të tyre në simbol, figurë apo në kratilizëm. Në këtë libër diskutohet prania e fenomenit të ndërhyrjes pikërisht në natyrën vetërregulluese dhe evolutive të shprehjes letrare si kujtesë, e cila botën letrare e ka shtyrë drejt konfliktit me arbitraritetin e filozofemave të autoritetit.
Gjithashtu, në këtë libër argumentohet se si konceptet filozofike shpeshherë janë shndërruar në forma dhe doktrina autoritare, madje janë kthyer në ideologema dhe aparate politike, të cilat e kanë prerë evolucionin autonom letrar me synimin e kthimit të artit letrar në mjet pragmatik-propagandues si politikë që aspiron të renë progresiste. Si rrjedhojë, argumentohet se insistimi në të renë progresiste, i mbrujtur me konceptet filozofike të dyshimit, shpeshherë e ka mohuar vetëdijen për gnosisin letrar dhe ka ndikuar në çekuilibrime të ligjësive specifike letrare. Për pasojë, misteri primordial i artit për ta ruajtur kujtesën është shndërruar në mjet për ta mbjellë harresën. Libri propozon ruajtjen e ekuilibrit letrar dhe këtë intencë e dëshmon nëpërmjet analizës fenomenologjike të letërsisë dhe të kulturës shqipe, por edhe me diskutime filozofike-teorike si spektër i ndikimit, njofton ASHAK.
/TV Arbëria