Spitalet në Gaza janë të mbingarkuar dhe po përjetojnë mungesë të barnave, furnizimeve mjekësore dhe energjisë elektrike, paralajmëroi Médecins Sans Frontières (MSF) të mërkurën, ndërsa një krizë humanitare po shpaloset me shpejtësi në enklavën palestineze nën bombardimet izraelite.
Izraeli ka rritur ofensivën ajrore në Gaza pas sulmit të Hamasit në fundjavë, duke lënë qindra mijëra të zhvendosur, shumë prej tyre të shkëputur nga ushqimi dhe energjia elektrike.
Në një deklaratë, Avril Benoit, drejtoreshë ekzekutive e MSF-USA, tha se agjencia e ndihmës e njohur gjithashtu si Mjekët pa Kufij – “po shihte mungesa të ujit, energjisë elektrike dhe karburantit, tek të cilat spitalet mbështeten për gjeneratorët e tyre”, raporton CNN.
“Disa spitale kanë karburant të mjaftueshëm vetëm për katër ditë” tha ajo.
Një klinikë MSF në qytetin e Gazës u “dëmtua pak” nga një shpërthim të hënën, por është ende funksionale, tha Benoît. Një infermiere dhe shofer i ambulancës u vranë në sulme dhe disa të tjerë u plagosën, shtoi ajo.
Numri i të vdekurve në Gaza u rrit në 950 dhe 5000 të tjerë janë plagosur në sulmet ajrore izraelite, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës të mërkurën.
Të paktën 1200 njerëz kanë vdekur në Izrael pas sulmit të paprecedentë të Hamasit të shtunën, sipas Forcave të Mbrojtjes të Izraelit.
MSF tha se aktualisht nuk operon programe mjekësore në Izrael, por ka ofruar mbështetjen e saj për spitalet izraelite që trajtojnë “një numër të madh viktimash”.
/TV Arbëria