Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden e ka denoncuar përsëri të martën Hamasin dhe ka ripotencuar mbështetjen e SHBA-së për Izraelin ku mbi 1000 vetë përfshirë 14 amerikanë kanë humbur jetën, që kur filluan sulmet e Hamasit gjatë fundjavës.
“Ka momente në jetë … kur një e keqe e paimagjinueshme godet botën. Populli i Izraelit jetoi një moment të tillë këtë fundjavë,” tha zoti Biden. “Ky është një akt i pastër ligësie,” tha ai.
Presidenti Biden përshkroi ato që i quajti njoftime për veprime neveritëse për “prindër të vrarë”, “foshnja të vrara”, “familje të tëra të vrara” dhe “gra të përdhunuara”. Ai tha se Hamasi ka kërcënuar se do të ekzekutojë pengje, përfshirë të mbijetuar të Holokaustit, duke shkelur “çdo kod të moralit njerëzor”.
Presidenti amerikan tha se brutaliteti dhe “etja për gjak” e grupit të kujton “tmerret më të mëdha të ISIS-it”. “Ky është terrorizëm, por fatkeqësisht për popullin hebre, nuk është diçka e re,” tha zoti Biden.
Ndërkohë, në një lëvizje tjetër paralele, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do të vizitojë Izraelin në një mision urgjent për të treguar mbështetjen e SHBA-së pas sulmeve të militantëve palestinezë të Hamasit ndaj Izraelit, bëri të ditur Departamenti amerikan i Shtetit.
Sipas DASH-it, Blinken do të vizitojë Izraelin në ditët në vijim për të dërguar një mesazh të solidaritetit dhe mbështetjes së SHBA-së për Izraelin.
/TV Arbëria