Kombëtarja shqiptare ka vijuar me përgatitjet ditën e sotme në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen ndaj Çekisë, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Evropian ‘Gjermani 2024’.
Nën drejtimin e trajnerit Sylvinjo, kuqezinjtë e ndarë në dy grupe zhvilluan një ndeshje kontrolli në ‘Shtëpinë e Futbollit’. Fillimisht lojtarët punuan në palestër e më pas me disa ushtrime me topin, ndërsa zhvilluan edhe ndeshjen testuese.
Të pranishëm ishin 21 lojtarë që janë paraqitur tashmë në grumbullim, ndërkohë që për të plotësuar grupin stafi teknik kishte marrë në këtë ndeshje kontrolli edhe disa nga lojtarët e Kombëtares U-19, që ka nisur sakaq grumbullimin për dy miqësoret ndaj Turqisë.
Departementi i Komunikimit në FSHF bën me dije se grupit i është bashkuar dje në darkë edhe sulmuesi Myrto Uzuni. Sakaq, mesfushori Keidi Bare ka zhvilluar edhe sot stërvitje të diferencuar nga grupi.
Sulmuesi Armando Broja pas një shqetësimi fizik dhe pas kontrolleve mjekësore ka kryer gjithashtu stërvitje veçmas nga grupi dhe pritet t’i bashkohet nesër ekipit.
Edhe mesfushori Klaus Gjasula ka mbërritur tashmë në Shqipëri dhe pritet të nisë përgatitjet me skuadrën ditën e nesërme.
Dy ditë kanë mbetur nga ndeshja me Çekinë, që do të luhet të enjten e 12 tetorit në ‘Air Albania’, duke nisur nga ora 20:45.
/TV Arbëria