Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Politika > Presidenti kroat: Qëndrimi ynë është i qartë, Serbia duhet të na japë përgjigje për disa gjëra

Presidenti kroat: Qëndrimi ynë është i qartë, Serbia duhet të na japë përgjigje për disa gjëra

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq në një konferencë për media me presidenten Osmani ka thënë se Serbia duhet të japë përgjigje sa i përket sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Ai ka thënë se ky sulm nuk ka mundur të ndodhë pa dijeninë e Beogradit.

“Qëndrimi ynë është i qartë. Serbia duhet të na japë përgjigje për disa gjëra të dukshme që nuk mund t’i shpëtojnë vëmendjes as të një fëmije të vogël”, ka thënë Milanoviq për sulmin në Banjskë.

Presidenti kroat ka thënë tutje se gjëra të tilla kanë parë në të kaluarën dhe se të njëjtat nuk duan t’i shohin më, duke shtuar se “një ngjarje e tillë në të ardhmen, në një shkallë tjetër, nuk duhet të lejohet që të ndodhë”, raporton REL.

Kujtojmë që të dielën e 24 shtatorit në fshatin Banjskë të Komunës së Zveçanit, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup terrorist serb, i cili udhëhiqej nga Millan Radojçiq.

Nga ky sulm mbet i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku nga Samadrexha e Vushtrrisë i cili tashmë është shpallur hero, i plagosur ka mbetur zyrtari policor Alban Rashiti dhe disa të tjerë të lënduar.

Ndërsa nga aksioni i Policisë së Kosovës mbetën të vrarë tre pjesëtarë të këtij grupi terrorist serb.

Ky akt terrorist u dënua ashpër edhe nga ndërkombëtarët.

Powered by WordPress