Pas një aventure të suksesshme në Amerikë, Greqi dhe së fundmi në Maqedoni të Veriut, vendosi që ta provojë fatin e tij edhe në Kosovë. Bëhet fjalë për basketbollistin amerikan, Kahlon Whitley, i cili së fundmi u bë pjesë e KB Istogut.
Whitley flet për përshtypjet e tij të para si basketbollist i Istogut, debutimin me “Djemtë e Bjeshkës”, ambiciet e tij personale, pritjes që iu bë nga tifozët e shumëçka tjetër.
Kur u pyet për ardhjen e tij në Kosovë, Whitley 1.78 cm i gjatë, tha se tifozët e kanë pritur ngrohtësisht dhe i kanë dhënë shumë mbështetje.
“Erdha këtu me krahë hapur, të gjithë më dhanë shumë dashuri e më përqafuan, unë thjesht po përpiqesha të kuptoja se si ta ktheja situatën në favorin tonë”, ka thënë fillimisht Whitley.
Tutje, amerikani rrëfen se si është stërvitur gjatë verës si dhe tregon se ka marrë informacione paraprakisht për kampionatin e Kosovës duke u njohur më mirë për ekipet pjesëmarrëse në elitë.
“Për tetë muaj kam punuar fort për veten time duke pritur që të më vijë një mundësi dhe kur mundësia erdhi unë nuk mund të kërkoja diçka më shumë. Gjatë tërë verës kam marrë informacione për ligën e Kosovës, skuadrat dhe të gjitha ligat në Evropë në përgjithësi”, u shpreh Whitley.
Basketbollisti amerikan këtë vikend debutoi me fanellën e Istogut, duke kontribuar me 27 pikë në fitoren e parë të Istogut në “Prince Caffe Superligë” ndaj Bashkimit dhe duke rikthyer shpresën në mendjen dhe zemrat e qytetarëve istogas për vazhdimësinë e sezonit.
Ai ka disa fjalë për debutimin e tij si dhe falënderon agjentët e tij dhe trajnerin e Istogut për mundësinë e dhënë që të djersit fanellën e Istogut.
“Nuk mund të kisha ëndërruar për një debutim më të mirë. Kam qenë tetë muaj në shtëpi, kam pasur shumë ulje dhe ngritje. Vetëm dua të shfrytëzoj rastin që të falënderoj agjentët e mi, trajnerin për mundësinë e dhënë, si dhe bashkëlojtarët. Që të gjithë më dhuruan përkrahje”, shtoi Whitley.
Për fund, ai pati disa fjalë edhe për tifozët e Istogut.
“Unë dua të sjell një energji të re në ekip dhe t’i rikthejmë gjërat në favorin tonë. Dëshira ime është që të sjell gëzim në qytet”, përfundoi Whitley.
/TV Arbëria