Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të hënën se është i shqetësuar me “krimet kundër civilëve dhe me rritjen e numrit të të vrarëve” pas sulmit të grupit militant Hamas në Izrael. Izraeli deklaroi luftë formalisht të dielën dhe i dha ushtrisë dritën jeshile për “hapa të mëdhenj ushtarakë” për t’u hakmarrë ndaj Hamasit për sulmin befasues të së shtunës.
Izraeli thotë se më shumë se 700 njerëz janë vrarë dhe 100 të tjerë janë rrëmbyer nga Hamasi. Në Gaza, më shumë se 500 njerëz janë vrarë pas bombardimeve ajrore hakmarrëse nga Izraeli, sipas zyrtarëve palestinezë.
“I bashkohem thirrjes së aleatëve për ndërprerjen e menjëhershme të këtyre veprimeve dhe mbështetjen e të drejtës së Izraelit për t’u mbrojtur kundër terrorizmit dhe kërkesës për lirimin e menjëhershëm të pengjeve”, tha Kurti në X, ish-rrjetin social Twitter.
/TV Arbëria