Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Prokuroria jep detaje për planin që 16 vjeçari kishte përgatitur ta kryente në një shkollë në Pejë

Prokuroria jep detaje për planin që 16 vjeçari kishte përgatitur ta kryente në një shkollë në Pejë

Prokuroria Speciale e Kosovës është deklaruar lidhur me arrestimin e 16 vjeçarit nga Peja, nën dyshimin për përgatitjen e veprave terroriste.

Ndaj të njëjtit Gjykata Themelore e Prishtinës ka marrë vendim për caktimin e paraburgimit prej 30 ditësh.

Prokuroria Speciale, ka njoftuar se i dyshuari B.M për disa muaj kishte bërë plane për ndërmarrjen e një sulmi të gjerë ndaj nxënësve të një shkolle në Pejë.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), njofton opinionin publik se është ndaluar i pandehuri me inicialet B.M. për shkak se në periudhë kohore disamujore ka bërë plane dhe është përgatitur për ndërmarrjen e një sulmi të gjerë ndaj disa nxënësve të një shkolle në Pejë”, thuhet në njoftimin e PSRK-së.

Prokuroria Speciale shton se me këto veprime i pandehuri B.M. kishte për të kryer veprën penale ‘’Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së
Republikës së Kosovës’’, nga neni 138 lidhur me nenin 129 të Kodit nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

“Prokurori i Prokurorisë Speciale, gjatë ditës së sotme ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, si dhe, ndaj të njëjtit Gjykata kompetente ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh”, thuhet në njoftim.

/TV Arbëria