Vazhdon të jetë aktuale shfaqja e banerit “Kosova është Shqipëri” në ndeshjen e AEK-ut të Athinës me Ajaxin. Ky baner u shfaq të enjten në ndeshjen e fazës grupore të Ligës së Evropës.
Tifozët grekë janë të njohur për qëndrimet antishqiptare, kështu që baneri i së enjtes është përcjellë dhe vazhdon të përcillet me bujë të madhe. Të shumta ishin reagimet sidomos në Serbi, ku kishte shkrime për tradhti nga grekët.
AEK-u i Athinës ka reaguar menjëherë të premten duke u distancuar nga baneri i shfaqur dhe duke paralajmëruar masa për përgjegjësit.
Të dielën faqe të ndryshme që përcjellin zhvillimet rreth tifo-grupeve kanë shkruar se AEK-u ka identifikuar dy tifozët përgjegjës për banerin dhe i ka dënuar me largim të përjetshëm nga stadiumi. Kështu ndërkohë kanë shkruar edhe mediat në Kroaci dhe vende të tjera të regjionit.
Në fundjavë me reagim doli edhe “Original 21”, që është grupi më i madh i tifozëve të AEK-ut. Ky grup ka pranuar se një anëtar i tij ka shpalosur banerin.
“Si ‘Original 21’ deklarojmë se shfaqja e një baneri nacionalist në sektorin tonë nuk pasqyron pozicionet dhe pikëpamjet e ‘Original 21’. Rrënjët e thella historike të grupit tonë dhe qëndrimi ynë i palëkundur kundër të gjitha formave të fashizmit e bëjnë këtë shumë të qartë. E dënojmë këtë baner dhe i kërkojmë falje AEK-ut për çdo përçarje që mund të ketë shkaktuar, sidomos pasi është krijuar nga një prej anëtarëve tanë. Do të marrim masa të rrepta për të siguruar që një incident i tillë të mos përsëritet më”, shkruan në deklaratën e këtij grupi tifozësh.
Tifo-skena në Greqi është shumë e zhvilluar. Ndikimi i tifo-grupeve është i madh në sport dhe jo vetëm. Kështu që baneri “Kosova është Shqipëri” ka pasur ndikimin e madh dhe qëllimi i autorëve me shumë mundësi është arritur plotësisht.
/TV Arbëria