Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi, po e zhvillon një vizitë zyrtare në Bruksel. Ai u takua me drejtorin e Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit të Bashkimit Evropian, Gert Jan Koopman.
Bislimi tha se Kosova ka pasur performanca të larta në ekonomi dhe sundim të ligjit.
“Kosova e sheh veten pjesë të familjes evropiane. Viti i kaluar ka qenë veçanërisht vit evropian për Kosovën ku vendi ynë ka aplikuar për anëtarësim në BE dhe Këshill të Evropës, si dhe pas punës së përkushtuar të institucioneve të Republikës për arritjen e Liberalizimit të Vizave. Përtej barrierave me të cilat jemi përballur, vendi ynë ka performuar më lart edhe se vendet e tjera të rajonit veçanërisht në indikatorë ekonomikë e të sundimit të ligjit. Kjo është dëshmi e potencialit tonë për rritje e zhvillim dhe gatishmërisë për hapa të rëndësishëm në integrimin evropian, andaj është momenti që Kosovës t’i hiqen pengesat në rrugëtimin drejt BE-së”, tha Bislimi.
Ndërkaq, drejtorin e Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit të Bashkimit Evropian, Gert Jan Koopman, shprehu ngushëllime për sulmin e 24 shtatorit ku u vra në krye të detyrës Rreshteri i Policisë së Kosovës, Heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku.
“Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi z. Koopman për mesazhin e tij, duke thënë se ky ishte një sulm terrorist tashmë i faktuar me përfshirje të institucioneve të Serbisë e akt agresioni me një seri përgatitjesh të mëhershme e objektiv të qartë: shkeljen e integritetit territorial, sovranitetit të Republikës së Kosovës e tentativë për destabilizim të vendit tonë e të rajonit”, thuhet në njoftimin e qeverisë.
/TV Arbëria