Skizofrenia e politikës serbe, pengesë për marrëveshje me Kosovën
Shkruan; Afrim Kasolli
Është thënë shpesh se Serbia nuk është e interesuar për marrëveshje me Kosovën. Se qëllim i saj strategjik shtetëror është ta mbajë gjendjen pezull, si dhe të izoluar konsolidimin ndërkombëtar të shtetësisë. Po ashtu janë renditur argumente se në këtë mënyrë, ajo e mban edhe vetën të bllokuar nga proceset integruese evropiane, si dhe demokratizimi e mëtejmë të shteti si dhe shoqërisë serbe. Si fakt shtesë për këtë lojë të dyfishte të saj përmendet edhe dilema se ajo nuk mund të shkëputet nga lidhjet simbiotike me Rusinë.
Ndërkohë, për ta realizuar këto synime ajo shkon në dialog më Kosovën me pretendimin për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, kurse në anën tjetër në prapaskenë e bënë të pamundurën për ta sabotuar këtë proces. Ngase nuk i konvenon as marrëveshja dhe as integrimet evropiane.
Këto argumente pa dyshim se janë të qëndrueshme. Mirëpo, një arsyeje tjetër se pse Serbia tenton me çdo kusht ta shmang një marrëveshje me Kosovën, ka të bëjë dhe me mentalitetin politik, social dhe kulturor të politikes serbe. Mentalitet ky, që fatkeqësisht e ushqen edhe shoqërinë e atij shteti.
Që nga përfundimi i luftës në vitin 1999, kjo politikë nuk mund t’ia pranojë vetes disfatën që e përjetuan. Detyrimin e tyre për ta tërhequr ushtrinë, policinë, forcat paramilitare dhe administratën shtetërore nga Kosova, duke lënë pas vetes vetëm të bëmat e saj kriminale dhe tentimin për gjenocid kundër një populli martir.
Politika shtetërorë serbe ende sot e kësaj dite jeton nga nostalgjia për këto akte makabre dhe nga pamundësia për t’u kuruar prej tij moralisht. Si dhe tundohet nga shpresa se kur do ta rikthehet përsëri në Kosovë, për ta përsëritur skenën e përgjakshme krimit. Rasti i Banjskës është vetëm njëri nga episodet e kësaj qasje. Kurse sloganet popullore “kad se vojska na Kosovo vrati” që gjenden gjithandej nëpër Serbi janë shprehje e hapur simptomatike e këtij mentaliteti shizofrenik, për ta jetësuar në të ardhmen atë që nuk munden ta bënin plotësisht në të kaluarën. Kjo edhe është arsyeja që edhe sot ai shtet është i zhytur në moçalin e “fajit kriminal, politik, moral dhe metafizik”
Pra dëshira e kësaj politike vetëm për hakmarrje dhe jo për pajtim është njëra nga arsyet kryesore që ndikon që ky shtet ta ketë të pamundur të bëjë marrëveshje me Kosovën.
/TV Arbëria