Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Politika > Osmani: Evropa të marrë vendim, të vendosen sanksione kundër Serbisë

Osmani: Evropa të marrë vendim, të vendosen sanksione kundër Serbisë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se është thelbësore që Evropa dhe i gjithë komuniteti euroatlantik të marrin një qëndrim vendimtar dhe të vendosin sanksione kundër Serbisë dhe presidentit të saj, Aleksander Vuçiq. Ajo ka thënë se nuk mund të mbyllen sytë para dëshmive që tregojnë për përfshirjen e Serbisë në aktin e agresionit kundër Republikës së Kosovës.\

Osmani ka folur në pritjen e organizuar nga ambasada gjermane në Prishtinë, për të shënuar Ditën e Bashkimit të Gjermanisë.

Aty, ajo ka falënderuar gjermanët që qëndruan krah Kosovës sipas saj në momente shumë të vështira.

“E mirëpresim shumë gatishmërinë e Gjermanisë për të rritur praninë e saj ushtarake në Kosovë si pjesë e misioneve të KFOR-it. Ndaj sot, bashkimin derisa festojmë e kombit të madh gjerman, nuk mund të mbyllim sytë para dëshmive që tregojnë për përfshirjen e Serbisë në aktin e agresionit kundër Republikës së Kosovës. Është thelbësore që Evropa dhe gjithë komuniteti euroatlantik të marrin një qëndrim vendimtar dhe të vendosin sanksione kundër Serbisë dhe Vuçiqit, duke dërguar një mesazh të qartë se aktet terroriste dhe aktet e agresionit kundër një vendi sovran, të pavarur dhe demokratik nuk do të tolerohen dhe se Serbia duhet të mbajë përgjegjësi”, ka thënë Osmani.

E ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, fjalimin e ka nisur duke shprehur solidaritetin me Kosovën, pas sulmit terrorist të 24 shtatorit.

Ai ka thënë se Gjermania do të qëndrojë gjithmonë krah Kosovës në mbrojtjen e pozitës së saj të drejtë.

“Sulmi i javës së kaluar ishte sulm ndaj integritetit territorial të Kosovës. Vajtuam këtë humbje të jetës me familjen e Afrim Bunjakut dhe mbarë vendin. Dhe ne e përdorim këtë sulm për të riafirmuar se ne gjithmonë qëndrojmë përkrah Kosovës në mbrojtjen e pozitës së saj të drejtë si anëtare sovrane e familjes evropiane, sepse është bindja jonë e fortë, ajo që ishte e vërtetë për një Gjermani të bashkuar në vitin 1990, mbetet e vërtetë për Kosovën dhe gjithë rajonin sot.

Në anën tjetër, kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka përmendur edhe Procesin e Berlinit, për të cilin ka thënë se mund të shërbejë si forcë lëvizëse e integrimit të potë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

“Ne besojmë shumë në këtë proces. Ai nuk është vetëm një çelës i vërtetë për të ndezur bashkëpunimin dhe zhvillimin në rajonin tonë, por mund të shërbejë si forca lëvizëse e integrimit të plotë në Bashkimin Evropian për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor duke shembur muret imagjinare, duke u bashkuar më mirë dhe më të fortë”, ka thënë Kurti.

/TV Arbëria

Powered by WordPress