Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka mbajtur konferencë për medie, në të cilën janë prezantuar rezultatet e hulumtimit të opinionit publik, që pasqyrojnë këndvështrimet e qytetarëve të Kosovës mbi reformën në sistemin e drejtësisë.
Gjatë shpalosjes së të dhënave, Violeta Haxholli nga KDI, sqaroi se hulumtimi vë në pah këndvështrimin e qytetarëve rreth performancës së sektorit të drejtësisë, konkretisht punën e prokurorive dhe gjykatave. Pastaj, pritjet e qytetarëve për përmirësime në këtë sektor, institucionet përgjegjëse për reforma në këtë sektor si dhe mundësitë e qytetarëve për tu përfshirë në këtë reformë.
Në pyetjen nëse qytetarët kanë parë përmirësime këtë vit në punën e prokurorive dhe gjykatave, qytetarët janë ndarë në dysh. Kështu, 44% e qytetarëve mendojnë se deri diku ka pasur përmirësime në performancën e sektorit të drejtësisë, derisa 36% mendojnë se nuk ka pasur fare përmirësim. Vetëm 10% e qytetarëve që mendojnë se sektori i drejtësisë ka shënuar përmirësime.
Në pyetjen e dytë qytetarët janë pyetur se kur presin ata që të ketë përmirësime në punën e sektorit të drejtësisë, konkretisht në punën e prokurorive dhe gjykatave. Lidhur me këtë vetëm 8% e qytetarëve presin përmirësime gjatë këtij viti. Shumica prej tyre, konkretisht 38%, presin përmirësime gjatë 5 viteve të ardhshme dhe 31% e tyre në 10 vitet e ardhshme.
Haxholli vijoi prezantimin e të dhënave me pyetjen e tretë që u është parashtruar qytetarëve lidhur me atë se kush mendojnë ata se e ka përgjegjësinë kryesore për të reformuar/përmirësuar sektorin e drejtësisë (prokuroritë dhe gjykatat). Në përqindjen më të lartë konkretisht 36%, qytetarët janë të mendimit se përgjegjësinë kryesore për reformë në këtë sektor e kanë vet institucionet e drejtësisë, ndërsa si institucionin e dytë përgjegjës e kanë ranguar Qeverinë, me 34%.
Lidhur me atë se a janë të informuar qytetarët për mundësitë e tyre për të marrë pjesë në diskutime gjatë hartimit/shqyrtimit të projektligjeve për reformimin e sektorit të drejtësisë, në përqindje shumë të lartë, me 77%, qytetarët janë shprehur se nuk janë të informuar. Vetëm 17% e tyre janë shprehur se e kanë këtë informacion.
Në fund, qytetarët janë pyetur edhe lidhur me preferencat e tyre për tu përfshirë në procesin e shqyrtimit të projektligjeve të reformës në drejtësi. Lidhur me këtë çështje, 76% e qytetarëve janë deklaruar se nuk preferojnë të përfshihen në këtë proces. Në anën tjetër 18% e tyre janë shprehur se preferojnë të përfshihen përmes pjesëmarrjes në diskutime publike.
Ky hulumtim i opinionit publik është realizuar me metodën e Omnibusit, në të cilin kanë marrë pjesë 1065 respodentë të moshës mbi 18 vjeç. Periudha e anketimit përfshin datën nga 4 deri me 13 shtator të këtij viti.
/TV Arbëria