Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se deri tani nuk kanë pranuar ndonjë informacion se qytetarët në veri i janë drejtuar kuvendeve komunale për t’i njoftuar rreth iniciativës për largimin e kryetarëve përmes peticionit.
Megjithatë, ai ka thënë se kanë arritur që brenda një muaji të draftojnë udhëzimin administrativ i cili parasheh në detaje procedurën e largimit të kryetarëve përmes peticionit.
“Deri në këtë moment ne nuk kemi pranuar asnjë informacion nga kryesuesi i Kuvendit të Komunës, që një grup i qytetarëve është drejtuar tek ai për të njoftuar atë dhe autoritetet tjera që ka filluar një iniciativë për largimin e kryetareve të komunave përmes peticionit. E rëndësishme në këtë proces është se si Qeveri kemi treguar vullnetin e mirë dhe brenda një muajit kemi draftuar një udhëzim administrativ me standarde shumë të larta, i cili parasheh këtë procedurë në detaje”, përfundoi Krasniqi.
Krasniqi ka folur pas takimit që kryeministri Albin Kurti dhe ministrat e linjës, kanë zhvilluar me kryetarët e komunave të Kosovës.
Por në këtë takim nuk ka marrë pjesë kryetari i Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, i cili prej marrjes ë detyrës në krye të komunës po qëndron brenda objektit komunal.
“Ne kemi koordinim të rregullt me kryetarin e Komunës së Leposaviqit dhe këshilltari që është përgjegjës në ministrinë tek unë për komunat veriore, Aliu, është vazhdimit në kontakt edhe me kryetarin e Leposaviqit dhe të tjerët. Sigurisht se do të marrë pjesë në mbledhjet e ardhshme dhe nuk ka nevojë që të kyçet online, mirëpo sot nuk ishte prezent, porse ishin prezent tre kryetarët e tjerë të komunave të veriut të Kosovës, të cilët tashmë janë edhe anëtarë të plotë të Asociacionit të Komunave të Kosovës. Unë nuk kam komunikuar sot me kryetarin e Leposaviqit dhe nuk e di arsyen e mospjesëmarrjes në këtë takim”, tha Krasniqi.
Pas takimit të qeveritarëve me kryetarët e komunave, Krasniqi ka thënë se kanë diskutuar tema të ndryshme, përfshirë kërkesat dhe sfidat me të cilat ata përballen.
“Këto takime pune tashmë të rregullta me kryetaret e komunave me qëllim të koordinimit të punëve mes nivelit qendror dhe lokal. Patëm disa tema të diskutimit të cilat i kemi ngrit edhe ne si nivel qendror, mirëpo edhe kërkesat, shqetësimet e ngritura nga kryetaret e komunave, edhe përmes kryetarit të Asociacionit të Komunave, mirëpo edhe individualisht. Patëm mundësi që me ministrat prezent, Çekun, Hajdarin, Aliun dhe Muratin të diskutojmë për kërkesat specifike që patën kryetaret e komunave, të marrin përgjigjen meritore në pyetjet e tyre dhe të koordinohemi me punë që na presin deri tash e në fund të vitit”, tha Krasniqi.
Në këtë takim Kurti premtoi kryetarëve se në vitin e ardhshëm granti i përgjithshëm për komunat do të jetë rreth 250 milionë euro, i cili sipas tij është vlerë rekorde si asnjëherë më parë.
/TV Arbëria