Një javë pas sulmeve terroriste ndaj Policisë së Kosovës në veri, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku, dy vendkalimet kufitare me Serbinë vazhdojnë të jenë të mbyllura.
Pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak u mbyllen pasi grupe të armatosura serbe hynë në Kosovë duke sulmuar Policinë me armë zjarri.
Rreshteri Afrim Bunjaku u vra gjatë detyrës zyrtare rreth orës 03:00 të 24 shtatorit.
Pas vrasjes së policit, rreth 30 persona të armatosur rëndë dhe të maskuar u fshehën në Manastirin e fshatit Banjska të Zveçanit, për të vazhduar sërish me sulmet ndaj Policisë së Kosovës.
Nga gjuajtjet me armë zjarri u vranë edhe tre sulmues serbë. Sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës u dënua fuqishëm nga ndërkombëtarët.
Përgjegjësinë për organizimin e sulmit terrorist e mori nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq.