Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Eskaloi dhuna mes bandave kriminale në Suedi

Eskaloi dhuna mes bandave kriminale në Suedi

Tre persona u vranë gjatë natës së kaluar në Suedi, në tri incidente të ndara, përderisa eskaloi dhuna e ndërlidhur me një përplasje mes bandave kriminale.

Të mërkurën vonë, një djalë 18-vjeçar u qëllua për vdekje në periferi të Stokholmit. Disa orë më vonë, një burrë u vra dhe një tjetër u plagos nga të shtënat në Jordbro, në jug të kryeqytetit suedez, raporton agjencia “Associated Press”.

Të enjten herët, një grua në të njëzetat vdiq nga një shpërthim në Uppsala, në perëndim të Stokholmit. Shpërthimi dëmtoi pesë shtëpi dhe po trajtohet nga policia si rast i vrasjes. Mediat suedeze raportuan se gruaja që vdiq me gjasë nuk ishte në shënjestër.

Televizioni suedez, SVT, theksoi se dy rastet fatale të të shtënave e kanë çuar në 11 numrin e të vdekurve nga dhuna me armë, duke e bërë atë muajin më vdekjeprurës nga të shtënat që nga fillimi i mbajtjes së statistikave nga policia më 2016.

Suedi / Dy shpërthime në Suedi, të paktën tre të lënduar
Nuk qe e ditur nëse të shtënat ose shpërthimi ishin të ndërlidhura mes vete, por mediat suedeze thanë se dy prej tri ngjarjeve ishin disi të lidhura me përplasjen mes grupeve kriminale, problem në rritje në Suedi, ku janë regjistruar shumë të shtëna e shpërthime.

Tre persona janë ndaluar nën dyshimin për bashkëfajësi në të shtënat fatale në Jordbro. Policia tha se dy persona janë arrestuar për shpërthimin në Uppsala, i cili ishte aq i fortë, saqë fasadat e dy shtëpive kishin rënë në tokë.

Më herët këtë javë, dy shpërthime të fuqishme ndodhën në ndërtesa banimi në pjesën qendrore të Suedisë, duke lënë të paktën tre të lënduar e duke dëmtuar ndërtesa.

/TV Arbëria

Powered by WordPress