Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar ekstradimin e sulmuesve që kanë ikur në Serbi.
Përveç tyre, Kurti ka thënë se të gjithë sulmuesit tjerë ose janë vrarë, ose janë arrestuar.
Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, ai ka kërkuar që Serbia të ndëshkohet nga bashkësia ndërkombëtare, sepse në të kundërt, ajo do të vazhdojë njësoj.
“Të dielën përjetuam një sulm agresor nga bandat kriminale të Serbisë ndaj shtetit demokratik. Sulmi i organizuar nga bandat terroriste la të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Ishte ditë e rëndë për vendin tonë. Policisë do t’i mungojë një pjesëtar e do ti mungojë edhe familjes së tij”, tha Kurti.
“I vetmi polic që u vra ishte ai që u zu në prit. Ata u vranë ose u arrestuan ose po përndiqen. Kishte sulm terrorist që cenoi sovranitetin dhe sigurinë kombëtare. Sulmuesit që ikën, duhet të ekstradohen. Organizata ‘Mbrojtja Civile’ duhet të shpallet organizatë terroriste edhe nga vendet tjera në rajon, siç vepruam ne”.
“Serbia duhet të ndëshkohet nga bashkësia ndërkombëtare dhe nëse nuk e bën këtë, ajo mund ta përsëris këtë gjë”.
Kurti ka përmendur edhe armët që janë gjetur në këtë aksion, duke thënë se të gjitha janë të prodhuara në Serbi.
/TV Arbëria