Fatmir Sejdiu dha dorëheqje nga posti i presidentit të Kosovës më 27 shtator të vitit 2010. Dorëheqja e tij vjen si rezultat i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, me të cilin konstatohet se Sejdiu ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës me mbajtjen e postit të presidentit dhe atij të kryetarit të LDK-së, ndonëse me funksione të ngrira.
Sejdiu e bëri publik vendimin e tij për dorëheqje gjatë një konference, me anë të së cilës ai u është drejtuar qytetarëve dhe opinionit.
“Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës. Sot unë kam dhënë dorëheqje nga pozita e Presidentit të Republikës së Kosovës. Që nga 10 shkurti i vitit 2006, si President i Republikës së Kosovës dhe i të gjithë qytetarëve të saj, kam ushtruar këtë funksion me përgjegjësi, me përkushtim të plotë dhe ndërgjegje të pastër, gjithnjë duke pasur si udhërrëfyes themelor interesin e qytetarëve dhe të vendit tonë të dashur”, tha Sejdiu.
Presidenti i dorëhequr, Sejdiu, theksoi se kishte mbajtur postin e kryetarit të LDK-së me funksione të ngrira i bindur se kjo nuk paraqiste shkelje të Kushtetutës.
Sidoqoftë, ai u shpreh se vendimin për dorëheqje e kishte marrë pikërisht për të respektuar Gjykatën Kushtetuese si instanca më e lartë të interpretimit të Kushtetutës së Kosovës.
Para se të publikonte vendimin për dorëheqje, Sejdiu zhvilloi takime të mbyllura me kryeministrin e atëhershëm Hashim Thaçi dhe përfaqësuesit e vendeve të Kuintit.
Më pas, Sejdiu i komunikoi vendimin edhe kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ishte Kryesia e LDK-së, që pak më vonë doli me një komunikatë me shkrim, me të cilën përshëndet vendimin e Sejdiut, duke e çmuar atë si akt të lart moral.
Që nga zgjedhja në postin e presidentit, shumë nga analistët, mediat dhe deputetët kishin rikujtuar Sejdiun se po shkelte Kushtetutën me mbajtjen e postit të kryetarit të LDK-së.
Por, nismën zyrtare për të proceduar këtë rast te Gjykata Kushtetuese, e kishte marrë deputeti i pavarur, Naim Rrustemi, i cili tani beson se jo vetëm Sejdiu, por përgjegjës për këtë shkelje janë edhe partneri i tij në koalicion, Hashim Thaçi, dhe i gjithë koalicioni aktual, pasi që, sipas tij, kanë ndërtuar një marrëveshje qeverisëse duke mos e respektuar Kushtetutën.
/TV Arbëria