Sulmuesi i Kosovës, Albion Rrahmani, i cili luan me Rapidin e Bukureshtit në Rumani, ka treguar arsyen pse feston duke bërë shqiponjën pas çdo goli të shënuar.
Rrahmani ishte më meritori në fitoren e Rapidin me rezultat 3-1 ndaj CFR Cluj të hënën mbrëma, duke kontribuar me dy gola dhe një asistim.
Megjithatë, pas golit të dytë, sulmuesi llapjan festoi duke bërë shqiponjën dhe kjo nuk la pa u vënë re nga rumunët.
Pas ndeshjes, mediat e pyeten Rrahmanin për këtë veprim, por ai nuk hezitoi t’u tregoj se është shqiptar dhe për këtë feston në këtë mënyrë.
“Sigurisht, unë jam nga Shqipëria, Kosova, kam luajtur atje. Sigurisht që gjaku im është shqiptar dhe dua t’i mbështes ata. Kjo është arsyeja pse unë festoj në këtë mënyrë”, ka thënë fillimisht Rrahmani për mediat rumune.
“Nuk e di, por unë dua të shënoj më shumë për ekipin. Vetëm dua të fitojë kampionatin me Rapidin dhe të shënoj shumë e më shumë. Pse jo më 20 apo më shumë gola. Nuk e di”, përfundoi sulmuesi nga Kosova.
Deri më tani, Rrahmani ka shënuar gjashtë gola në katër ndeshje për Rapidin, ekip të cilit iu bashkua këtë verë nga skuadra e Ballkanit për një shifër të raportuar prej 600 mijë eurosh.
/TV Arbëria