Kryeministri Albin Kurti, ishte të hënën në fshatin Samadrexhë të Vushtrrisë, ku me ceremoni shtetërore u varros polici i rënë dje në krye të detyrës, Heroi i Republikës së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Para të pranishmëve të shumtë, familjarëve e kolegëve të të ndjerit, përfaqësuesve të institucioneve të vendit e atyre ndërkombëtare, kryeministri Kurti deklaroi se rënia në detyrë e Rreshter Afrim Bunjakut i veshur me uniformën e Policisë së Kosovës, është një sakrificë në betejën e Kosovës për ligj dhe kushtetutshmëri, për drejtësi e të drejta, për çdo qytetar të Kosovës pa dallim.
Ai tha se heroizmin e Afrimit e vazhduan sërish me profesionalizëm dhe vetëmohim kolegët e tij, policët e Kosovës, që i përballën grupet e armatosura kriminale e terroriste të Serbisë në veri të Kosovës.
Kryeministri ndër të tjera tha se dhënia e jetës për popullin dhe tokën që të ka lindur dhe rritur është vepra më sublime që mund ta bëjë një njeri, se dëshmori është grada më e lartë pas të cilës asgjë dhe askush nuk mund ta degradoj atë, dhe se pjesëmarrja në varrim është obligimi ynë i fundit për jetën e tij, kurse nderimi i veprës dhe vazhdimi i idealeve të saj, është obligimi i përjetshëm i ne të gjallëve për dëshmorët.
Fjala e kryeministrit Kurti:
Të dashur qytetarë,
E nderuara Presidente, Kryeparlamentar,
E nderuara familje Bunjaku, policë të Kosovës, kolegë të heroit Afrim Bunjaku,
Ministra e zëvendësministra, e deputetë e zyrtarë shtetërorë, të Kosovës, të Shqipërisë dhe të vendeve mike e partnere,
Komandat Bashkim Jashari,
Drejtor i policisë, Gazmend Hoxha,
Baca Rifat,
Kryetarë të Komunave,
Myfti Naim,
Shkëlqesi ambasadorë e diplomatë të tjerë,
Motra dhe vëllezër nga e gjithë Kosova që keni ardhur sot këtu në Samadrexhë të Vushtrrisë për ta nderuar veprën e heroit Afrim Bunjaku dhe për t’i dhënë lamtumirën. Dhënia e jetës për popullin dhe tokën që të ka lindur dhe rritur, është vepra më sublime që mund ta bëjë një njeri. Dëshmori është grada më e lartë pas të cilës asgjë dhe askush nuk mund ta degradoj atë. Pjesëmarrja në varrim është obligimi ynë i mbramë për jetën e tij, kurse nderimi i veprës dhe vazhdimi i idealeve të saj, është obligimi i përjetshëm i ne të gjallëve për dëshmorët.
/TV Arbëria