Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se sulmet në veri po vazhdojnë e se atje janë së paku 30 persona të armatosur rëndë, të cilëve u ka kërkuar të dorëzohen menjëherë.
Kurti ka thënë se ata nuk janë persona të thjeshtë e as policë të rregullt, por forca të njësive speciale e ushtarake, që posedojnë edhe autoblindë.
Ai ka prezantuar edhe disa pamje të këtij formacioni profesional, siç i ka quajtur Kurti.
“Nga sot Policisë do ti mungojë një pjesëtar i saj. Si qeveri qëndrojmë pranë policit të rënë, atyre të plagosurve dhe gjithë policisë”.
“I ftoj qytetarët ta ruajnë qetësinë dhe maturinë dhe t’i lënë institucionet ta marrin situatën në dorë.
“Sulmet mbi policinë tonë janë duke vazhduar. Janë së paku 30 persona të armatosur rëndë që ndodhën nën rrethimin e forcave tona policore, I ftoj të dorëzohen te forcat tona të sigurisë”.
“Edhe pasi që e kanë vrarë Afrim Bunjakun dhe e kanë plagosur Alban Rashitin, ata po i vazhdojnë sulmet e tyre”.
Ai i ka prezantuar disa pamje nga vendi ku po ndodhin sulmet, duke thënë se ato dëshmojnë që personat që kanë sulmuar Policinë nuk janë persona të thjeshtë, por njerëz të armatosur rëndë më pajisje ushtarake.
“Organet tona të sigurisë do ta hetojnë këtë rast. E shihni se e kanë edhe një autoblindë, që nuk është e Policisë së Kosovës”.
“Ata nuk e kanë uniformën as të një polici të rregullt, por te njësive policore ushtarake”.
/TV Arbëria