Në ora 10:00 ka nisur takimi i Këshillit të Sigurisë të Republikës së Kosovës pas ngjarjes së rëndë që ka ndodhur në veri të vendit.
Në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme (e diel) është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku ndërsa polici tjetër Alban Rashiti ka mbetur i plagosur. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Banjska të Zveçanit ku është sulmuar patrulla policore.
Kryeministri Albin Kurti konfirmoi në rrjete sociale se takimi i Këshillit të Sigurisë është ftuar për në ora 10:00.
Ndërkohë, presidentja Vjosa Osmani ka ndërprerë vizitën zyrtare në Nju Jork.
Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes, konfirmoi për KosovaPress se Osmani ka anuluar të gjitha aktivitetet e parapara për të hënën dhe të martën dhe do të niset menjëherë drejt Kosovës.
Kujtojmë se Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka rol këshillues në të gjitha çështjet që lidhen me sigurinë e Kosovës dhe kontributin e tij për stabilitetin rajonal. Ajo rekomandon politika dhe strategji për sigurinë. Këshilli i Sigurisë i Kosovës duhet të ofrojë informata dhe vlerësime të gjendjes së sigurisë në Kosovë, që t’i mundësojnë Qeverisë së Republikës së Kosovës marrjen e vendimeve përkatëse lidhur me çështjet e sigurisë.
Takimet e Këshillit të Sigurisë nuk janë të hapura për publikun.
/TV Arbëria