Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Osmani reagon për vrasjen e policit, sulm ndaj Republikës

Osmani reagon për vrasjen e policit, sulm ndaj Republikës

Presidentja Vjosa Osmani reagoi pas vrasjes së një polici dhe plagosjes së një tjetri në fshatin Banjska të Leposaviqit. Këtë ngjarje ajo e cilësoi si sulm ndaj Republikës së Kosovës e organizuar dhe orkestruar nga bandat kriminale serbe.

“Vrasja e një polici dhe plagosja e një polici tjetër në veriun e Kosovës, e planifikuar, orkestruar dhe ekzekutuar nga bandat kriminale serbe, është sulm ndaj rendit dhe ligjit në veriun e vendit, është sulm ndaj Kosovës. Këto sulme dëshmojnë edhe njëherë fuqinë destabilizuese të bandave kriminale, të organizuara nga Serbia, të cilat prej shumë kohësh, siç është dëshmuar edhe me sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve e qytetarëve, po synojnë të destabilizojnë Kosovën dhe rajonin”, shkroi Osmani në rrjete sociale.

Osmani u shpreh se sulmet e organizuara kundër forcave të rendit të Republikës së Kosovës janë sulme kundër sovranitetit të Republikës së Kosovës.

Ajo tha se pret që aleatët ndërkombëtarë do të mbështesin Kosovën në vendosjen e rendit dhe ruajtjes së sovranitetit në çdo pjesë të vendit, ndërsa tha se autorët e kësaj ngjarjeje nuk mund t’i ikin drejtësisë.

“Përveç dënimit të ashpër të këtij agresioni të hapur të Serbisë ndaj Kosovës, pres që aleatët tanë do ta mbështesin Kosovën në përpjekjen e saj për vendosjen e rendit dhe ligjit si dhe ruajtjen e sovranitetit në çdo pjesë të Republikës së Kosovës. Familjes së policit të vrarë ju shprehim ngushëllime të thella dhe i sigurojmë se autorët e këtyre akteve terroriste nuk do të mund t’i ikin drejtësisë”, shtoi Osmani.

Ajo ka ftuar për një unitet politik e institucional në një kohë siç tha ajo kur po cenohet siguria dhe sovraniteti i Republikës së Kosovës.

“Ftoj të gjithë qytetarët, institucionet dhe subjektet politike që të qëndrojnë të bashkuar në këtë kohë kur nga Serbia po sfidohet hapur integriteti territorial, siguria dhe sovraniteti i Republikës sonë. Si presidente e Republikës kam besimin e plotë në djemtë dhe vajzat tona nga Policia e Kosovës”, mbylli Osmani.

Në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme (e diel) është vrarë një polic i Kosovës, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur. Lajmi është dhënë nga kryeministri Albin Kurti përmes rrjeteve sociale. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Banjska të Leposaviqit ku është sulmuar patrulla policore.

/TV Arbëria

Powered by WordPress