Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Gjilan, ka arrestuar një person për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.
Për kryerjen e këtyre veprimeve, ky i fundit ka përdorur një shtëpi me qira, e njëkohësisht ka shfrytëzuar vetura nga “Rent a car”.
“Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë – Gjilan, me qëllim të zbardhjes së një rasti, ku një person dyshohet se merrej me trafikim të narkotikëve, kanë ndërmarrë veprime operative dhe hetimore. Policia e Kosovës gjatë trajtimit të rastit ka ardhur tek konstatimi se i dyshuari, E. F., (viti i lindjes 1979, mashkull kosovar), me veprimet e tij ka konsumuar veprën penale ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge’. I dyshuari gjatë veprimtarisë së shpërndarjes së lëndëve narkotike (kokainës), me qëllim që të mos bije në sy të Policisë, ka përdorur një shtëpi me qira dhe njëkohësisht ka shfrytëzuar vetura nga ‘rent a car’”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Njëherit, në koordinim me organet e drejtësisë, të dyshuarit i është bërë kontrolli i banesës, me ç’rast i janë konfiskuar substanca të ndryshme narkotike.
“Sot, më 22.09.2023, Policia ka arrestuar personin e dyshuar. Në koordinim me organet e drejtësisë është bërë kontrolli i banesës së të dyshuarit ku janë konfiskuar: 6.4 gramë substancë, që dyshohet të jetë kokainë, 1.5 gramë, dyshohet të jetë marihuanë, para të gatshme, një veturë dhe pesë telefona celularë”, thuhet tutje në komunikatë.
/TV Arbëria