Ministria e Shëndetësisë ka shfuqizuar vendimin me të cilin Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM) ka larguar nga tregu ampulat Omeprazol 40 mg, që përdoren për kurim të lukthit.
Në njoftimin për media thuhet se kjo agjenci ka kompletuar analizat e kontrollit të cilësisë për kontroll të jashtëzakonshëm të produktit Omeprazol për injeksion 40 mg të Prodhuesit Sëiss Parenteral, Indi.
“Për shkak të rëndësisë së kësaj analize, AKPPM paralelisht me analizën e kontrollit në Laboratorin e Kontrollit të Cilësisë ka realizuar edhe testin e krahasueshmerisë për këtë produkt edhe në Laboratorin për Kontroll të Barnave në HALMED të Kroacisë”, thuhet në komunikatën për media.
Sipas MSH-së, rezultatet e fituara në parametrat e kontrolluar për produktin omeprazol për injeksion 40 mg kanë rezultuar konform parametrave dhe standardeve të kërkuara të cilësisë në të dy laboratorët.
“Prandaj, shfuqizohet Vendimi i AKPPM-së i datës 16.05.2023 me numër protokolli 1760 për produktin Omeprazol për injeksion 40 mg, me numër serik 2122324. AKPPM këshillon profesionistët shëndetësorë që të ndjekin udhëzimet e prodhuesve për produktet medicinale të specifikuara në karakteristikat përmbledhëse të produkteve dhe flet-udhëzimet e tyre përkatëse”, përfundon njoftimi.
Agjencia e Kosovës për Produkte e Pajisje Medicinale më 16 maj 2023 pati marrë vendim që të largojë nga tregu ampulat Omeprazol 40 mg, pas dyshimit se përdorimi i tyre ka shkaktuar reaksione te disa pacientë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë.
/TV Arbëria