Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu – Shoshi, ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po i frikësohet opozitës.
Drejtuar kreut të ekzekutivit, deputetja e PDK-së ka thënë se Kurti nuk po i mbron interesat e vendit.
“Se Albini i frikësohet opozitës fol vetë fakti që nuk po raporton në Kuvend. Klauzolat e nenet nuk i interesojnë askujt, mandatin e ke me i mbrojt interesat e vendit dhe mos me hup miq. As nuk je duke e mbrojt interesin dhe as miq tanimë nuk ke”, shkroi ajo në Facebook.
Kryeministri i Kosovës i është kundërpërgjigjur me ironi kërkesave të partive opozitare për zgjedhje të parakohshme.
Kurti tha se zgjedhjet nuk i konvenojnë as Qeverisë së Kosovës dhe as opozitës, dhe se ai është i interesuar t’i mundë në zgjedhje partitë opozitare e jo t’i zhdukë ato.
Kurti la të nënkuptonte se, sipas tij, në rast të zgjedhjeve të parakohshme rezultati pro partisë së tij do jetë edhe më i thellë.
“Kam dëgjuar që opozita herë kërkon shkarkimin e dorëheqjen time, herë kërkon zgjedhje të parakohshme. Zgjedhjet e parakohshme nuk i konvenojnë as Qeverisë e as opozitës, unë jam i interesuar ta mund në zgjedhje opozitën dhe jo ta zhduki”, tha ai.
/TV Arbëria