Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Tunç Angili dhe drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar, Elvir Azizi, kanë mirëpritur të hënën ekipin e mjekëve dhe ekspertëve nga Turqia, të cilët gjatë javës do të kryejnë 16 operacione kardiokirurgjike tek fëmijët me probleme në zemër si dhe do të realizojnë 30 intervenime të tjera kardiologjike, përfshirë koronarografi dhe stentime dhe raste elektrofiziologjike.
Me këtë rast, ministri Vitia ka falënderuar ambasadorin turk dhe ekspertët nga Turqia për kontributin e vazhdueshëm që po japin për shëndetësinë e Kosovës.
Ai tha se Ministria e Shëndetësisë është e përkushtuar për avancim të shërbimeve shëndetësore, andaj përkrahja dhe mbështetja e ekspertëve është e mirëseardhur.
Ambasadori i Turqisë, Tunç Angili, duke ju dëshiruar mirëseardhje ekspertëve nga Turqia, tha se ndihet i nderuar që është pjesë e këtij organizimi.
Në emër të ekipit të ekspertëve foli Prof.dr. Alper Guzeltas, i cili fillimisht tha se ndjehet i nderuar që është udhëheqës i ekipit dhe që ka mundësi të kontribuoj për fëmijët e Kosovës.
Ekipi i mjekëve po qëndron në Kosovë në bashkëpunim dhe mbështetje të organizatës Muntada Aid, z.Kabir Miah, kurse koordinimin punës e ka bërë dr. Ramush Bejiqi.
/TV Arbëria