Stadiumi “Adem Jashari” në Mitrovicë tash e disa vite ka mbetur jashtë funksionimit për shkak të demolimit të tij, por duket se ai do t’i rikthehet normalitetit shumë shpejtë.
Qeveria e Republikës së Kosovës javë më parë ka ndarë 12 milionë euro për rinovimin e tij, derisa tashmë ministri i Ministrisë së Planifikimit Hapësinor dhe i Infrastrukturës, Liburn Aliu ka bërë të ditur se tashmë kanë përfunduar edhe procedurat e shpronësimit gjë që i hap rrugë nisjes së punimeve për rinovimin e tij.
Kemi përfunduar të gjitha procedurat e Shpronësimit për Renovimin e Stadiumit të Mitrovicës, “Adem Jashari”. Edhe pse shpronësimi solli vonesa në ecurinë e këtij projekti shumë të rëndësishëm, pas një koordinimi dhe bashkëpunimi të suksesshëm ndërinstitucional, kemi përfunduar të gjitha procedurat e shpronësimit, në mënyrë që Stadiumi i Mitrovicës “Adem Jashari”, më në fund të vihet në rrugën e duhur, kështu që të jetësohet e ta gëzojnë të gjithë qytetarët.”, ka shkruar Aliu në “Facebook”.
Kujtojmë se pak ditë më parë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit gjithashtu ka marrë vendim për ndërtimin e stadiumit të qytetit në Gjilan me kosto prej 15 milionë eurosh.
/TV Arbëria