Sfidat dhe keqpërdorimet me Fondin e Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor, ishin temat e diskutimit në konferencën e organizatave të shoqërisë civile “Të kuptojmë dobësitë e Kosovës në shëndetësi dhe mjedis”.
Aty u tha se përmes analizave dhe hulumtimeve, koalicioni i OJQ-ve ka hulumtuar mënyra për të forcuar bazën ligjore për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike dhe për të rritur efikasitetin përmes menaxhimit të mirë.
Ambasadorja Nancy Soderberg, drejtoreshë e Lartë Rezidente, e NDI në Kosovë, tha se është shumë me rëndësi që të gjitha institucionet të punojnë për përmirësimin e shërbimeve për qytetarët. Ajo ka vlerësuar punën që po bëhet, ndonëse tha se duhet edhe më tepër angazhim.
Për keqpërdorimet në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore foli Saranda Ramaj, hulumtuese në Institutin “Columbus”. Sipas saj, 5.5 milionë euro janë shfrytëzuar pa rregull të caktuar dhe për një numër të caktuar të pacientëve.
“Viti 2014 ka qenë Programi që është bërë i njohur e kur Qeveria e atëhershme për fushatë zgjedhore kishte ndarë 5.5 milionë euro për fëmijët e asaj kohe që ishin diagnostikuar me Leukemi”.
“Mungesa e një baze ligjore që ligji apo udhëzimi administrativ e parasheh secili detaj, bëri që këto 5.5 milionë euro të shfrytëzoheshin pa rregull të caktuar dhe për një numër të caktuar të pacientëve dhe kur të shpenzoheshin këto mjete, pacientët dhe fëmijët do të përballeshin sërish me probleme”.
Zarko Krtiniq, koordinator i Programit në OJQ “Aktiv”, tha se në Serbi këtë shërbime ofrohen nga Fondi, i cili ofron kompensim monetar për trajtim dhe analiza për të gjitha ata që ofrojnë dëshmi.
“Në Serbi shërbimi ofrohet nga Fondi dhe ka një marrëdhënie të shkëlqyer me organizata të ndryshme. Pacientët mund të shkojnë në Britani të Madhe e ShBA dhe trajtimi duhet të pranohet nga një komision vlerësues i mjekëve”.
“Në Serbi është e mundshme që për një individ të marrin kompensim monetar për trajtime dhe analiza që janë kryer nëpër spitale private, por për t’i plotësuar kushtet duhet ta bëjnë një listë. Ka një listë të gjatë të pritjes por që shteti mund të jap shërbime më efikase”.
Viona Bunjaku, zyrtare e Monitorimit në Lëvizjen “FOL”, tha se në vitin 2022 ShSKUK kishte shpenzuar mbi 24 milionë euro dhe këto shërbime ishin dhënë në kuadër të 251 kontratave të nënshkruara.
“Sa i përket ankesave të operatorëve ekonomik në OShP, në vitin 2021 dhe 2022, ishin adresuar 21 ankesa nga operatorët ekonomik”, tha ajo.
“Në vitin 2022 ShSKUK kishte shpenzuar mbi 24 milionë euro dhe këto shërbime ishin dhënë në kuadër të 251 kontratave të nënshkruara për vitin 2022. Sa i përket planit të prokurimit për vitin 2022, ShSKUK gjatë vitit 2022 kishte planifikuar t’i nënshkruante vetëm 9 kontrata të prokurimit por që në fund kishin rezultuar të ishin rreth 248 kontrata të nënshkruara”.
Valon Fana, Gazetar në Internews Kosova, tha se nënshkrimi i Udhëzimit është lajm shumë i mirë, në mënyrë që pacientëve t’u mundësohet të trajtohet ku ata duan.
“Lajmi i mirë është se udhëzimi administrativ është nënshkruar së fundmi por që është një problem të programit për trajtim jashtë vendit, pra që u lihet pacientëve në dorë spitalin se ku duan të trajtohen. Gjatë punës njëvjeçare kemi bërë debate e materiale dhe të gjitha këto rekomandime e keni edhe në raportin”.
E kryetarja e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Fatmire Kollçaku, tha se kanë hartuar një varg rekomandimesh për Ministrinë e Shëndetësisë.
Sipas saj, ka pasur shumë pengesa për shkak të ndërrimit të shumë ministrave, raporton EO.
“Ne si deputet në këtë mandat pas gjetjeve të auditorit, e kemi hartuar disa rekomandime për MSh ku janë listuar defektet dhe si e shohim llogaridhënien që ka munguar. Janë ndërruar disa ministra sepse ne rekomandonim por u ndërronin ministrat. Ne nuk e kemi asnjë mjet në Fond dhe krejt mjetet nga Fondi i sigurimeve bëhet nga buxhetit i shtetit”, tha ajo.
/TV Arbëria