“Përfaqësuese apo Kombëtare” është një nga temat që ka ngjallur ndër vite debat të madh në opinionin e futbollit të Kosovës që nga pranimi i saj si shtet në UEFA dhe FIFA.
Tema rikthehet në diskutim kohë pas kohe sidomos pas kalimit të lojtarëve nga Kosova në Shqipëri e që së fundmi ishte rasti i Arbnor Mujës dhe Mirlind Dakut.
Gazetari i njohur shqiptar, Dritan Shakohoxha për “GazetaBlic Sport” ka komentuar mbi këtë temë që është aktualizuar në Kosovë, duke thënë që shqiptarët kanë vetëm një kombëtare dhe ajo është Shqipëria.
“
Mendoj që kombëtare quhet përfaqësuesja e një kombi. Jemi ndarë në dy shtete, jo me zgjedhjen e shqiptarëve, nuk e kanë zgjedhur shqiptarët që të ndahen në dy shtete. Jemi detyruar të jemi në dy shtete, ashtu siç janë detyruar shqiptarët e Maqedonisë të mos jenë bashkë me atdheun e tyre që është Shqipëria, ashtu siç është në Bujanoc e kudo tjetër. Përderisa që jemi detyruar të ndahemi do të thotë që ‘shtëpia’ është këtu në Tiranë, jo vetëm atyre që jetojnë në Tiranë, por e çdo njeriu që lind nga një familje shqiptare. Kombëtare është Shqipëria besoj që i bashkon të gjithë. Ne kemi një flamur që na bashkon. Një që vjen nga Presheva nuk e merr me zor flamuri shqiptar, atë e kanë në mënyrë instiktive. Këtu në Shqipëri dashuria për flamurin më shumë na shtohet nga ata të Kosovës sesa nga shqiptarët e Shqipërisë. Nuk e di nëse e keni vërejtur, do doja të thoja vetëm një shembull të thjeshtë. Në momentin më të keq të tij, shumë i revoltuar Mërgim Vojvoda kur dikush i thotë “Kosova është Serbi” ai gjeti mbrojtjen te shqiponja, iu bëri me duar shqiponjën. Çka do thotë kjo, pra ai është kombi. Në momentin tënd më të thellë ti kujtohesh për nënën apo babain tënd. Ai është shembulli i vërtetë Vojvoda. Bëri shqiponjën, u tregua më i fortë duke u treguar të tjerëve që është shqiptar me flamurin që ka shqiponjën në mes.
Pse në stadium kur luan Shqipëria ushton më shumë kënga për Adem Jasharin? Edhe pse shumica e atyre që janë aty nuk kanë qenë fare në vendin ku ka rënë Adem Jashari, por e ndjejnë si heroin e tyre, si heroin e shqiptarëve që luftoi me flamurin shqiptar.Ëndrra e tij ishte bashkimi me Shqipërinë, dhe siç ka thënë heroi tjetër shqiptar, Skënderbeu: Po të bashkohemi bëhemi më të fortë dhe më të pathyeshëm”, përfundoi Shakohoxha për “GazetaBlic Sport”.
/TV Arbëria