Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Borrell: Kurti nuk ka pranuar që të fillojë procesin e themelimit të Asociacionit

Borrell: Kurti nuk ka pranuar që të fillojë procesin e themelimit të Asociacionit

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, pas takimit të nivelit të lartë në Bruksel ka fajësuar të dyja palët për mosrespektimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Në një konferencë për media, Borrell ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka pranuar që të fillojë procesin e themelimit të Asociacionit duke insistuar në formalizmin e njohjes de-facto si një hap i parë.

Ndërsa sipas tij, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka pranuar kompromisin e paraqitur nga BE-ja, ndonëse në fillim kishte shkuar në Bruksel me një propozim të vetin.

“Sot, me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq, kam tentuar që të gjejmë zgjidhje për një rrugë përpara, bazuar në propozimin tonë. Fatkeqësisht, pas një takimi të gjatë, kryeministri Kurti nuk ka qenë i gatshëm që të ecë përpara në fillimin e një procesi të besueshëm për themelimin e Asociacionit [të komunave me shumicë serbe në Kosovë]”, është shprehur ai.

Ai tutje ka bërë të ditur se ka propozuar që njëra palë të fillojë të zbatojë një pikë të marrëveshjes dhe tjetra ta pasojë.

/TV Arbëria