Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj deklaroi se qeveria nuk ka vizion për sigurimin e teksteve shkollore falas. Teksa komentoi fjalimin e ministres Arbërie Nagavci, ai tha se “është përtej mestares 6.4”. Më tej, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës u shpreh se sigurimi i teksteve shkollore falas ka qenë një politikë për të krijuar barazi në shkollë.
Në seancë të jashtëzakonshme për librat, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj deklaroi se kuvendi ka për detyrë që të debatojë për përmbajtjen e librave.
“Unë e dëgjova me vëmendje ministren Nagavci. Mendoj që e ka mbajtur fjalimin përtej mesatares së saj 6.4. Se u mor shumë me këtë pjesën e shpërndarjes së teksteve shkollore dhe nuk dihet se kush ishte ai kolegu i imi i Universitetit të Prishtinës që ka gabuar dhe ja ka qitur nja dy tri 7-she se krejt tjerat i ka 6-qe. Dhe fjalimi ke përtej kësaj, por me keqardhje po them që nuk po shoh vizion për këtë temë. Nuk pash unë se çfarë dëshiron zonja ministre dhe kjo qeveri në çështjen e teksteve shkollore falas. Unë kam pritur që në këtë vit shkollor do ta bëni një kthesë jo për mënyrën se si blihen librat”, deklaroi Hoxhaj.
Ai tha se subvencionimi i teksteve shkollore ngjason me sistemin jugosllav “të bonove”. Hoxhaj tha se ka pritur që këtë vit do të bëhet digjitalizimi i shkollave.
Hoxhaj në emër të PDK-së deklaroi se sigurimi i teksteve shkollore falas ka qenë politikë për të krijuar barazi në shkollë.
“’Kur fillon shtatori dhe vjeshta nuk e dimë a duhet me i ble librat, a me i sigurua turshitë apo me i ble drutë për dimër’, këtë fjali ma ka thënë si deputet i ri ne vitin 2004 një familje në Gjakovë, e cila përballej me fenomenin e braktisjes së nxënësve nga shkollat. Dhe në atë kohë së bashku me Komisionin për Arsim, të të gjitha partive politika në njërën nga temat që kemi pasur ka qenë çfarë të bëjmë me sigurimin e teksteve shkollore falas. Sigurimi i teksteve shkollore falas ka qenë një politikë për të krijuar barazi në shkollë. Dhe për të tejkaluar një lloj hendeku të dijes edhe brenda për brenda shtresave në Kosovës, por edhe në raport me hendekun e dijes që e ka Kosova me vendet e rajonit dhe të BE-së”, u shpreh ai.
Më tej, Hoxhaj u shpreh se pesha e rëndë e çantave për nxënësit duhet të zgjidhet përmes digjitalizimit.
/TV Arbëria