Nevoja për ndërhyrje dhe përmirësimin e kushteve në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë ka bërë që të zhvillohen disa punime mjaft të nevojshme për këtë stadium.
Këto punime kanë filluar para një viti dhe pritet të përfundojnë në muajin tetor.
E për këtë çështje ka folur drejtori i urbanizmit në këtë komunë, Avdi Morina.
“Punimet në stadiumin e qytetit të Malishevës janë duke vazhduar me një ritëm të lartë, duke filluar nga rregullimi i terrenit sportiv, tashmë kemi krejt një fushë të re e cila është në përfundim e sipër, ku besoj që brenda dy dite vetëm do të përfundojë infrastruktura sa i përket terrenit sportive, por njëkohësisht punimet janë duke u zhvilluar edhe në tribuna dhe zhveshtoret e klubit FC Malisheva”, tha Morina.
Për shkak të punimeve në stadium, sezoni i ri nuk ka filluar mirë për ekipin e Malishevës sa i përket terrenit ku duhej të zhvilloheshin ndeshjet, këto ndeshje si vendas FC Malisheva po i zhvillon në qytetin e Suharekës.
E Dardan Mazreku, tifoz i flaktë i skuadrës së Malishevës ka thënë se është e vështirë edhe për ta si tifozë sepse përveç ndeshjeve si mysafir për ta ndjekur skuadrën u duhet të udhëtojnë edhe për ndeshjet si vendas e t’i shijojnë sukseset më të mëdha të FC Malisheva.
Ai thoshte se pavarësisht rezultateve të mira në këtë fillim të sezonit 2023/24, zhvillimi i ndeshjeve si vendas në stadiumin “Liman Gegaj” do të ishte shumë më e përshtatshme sepse do të kishte më shumë tifozë ku do të ndikonte direkt në përkrahjen dhe të shtohej motivimi për lojtarët.
Ai u shpreh optimist duke pasur parasysh punën, përkushtimin dhe seriozitetin që ka trajneri Senad Alirifa dhe se nuk dyshon në rezultate pozitive për t’u shpallur kampion e të na përfaqësojë në garat evropiane.
Ndërkaq drejtori i urbanizmit në këtë komunë tregon për punimet që janë kryer dhe pritet të realizohen në vazhdim.
“Është përfundimi i terrenit sportive, bari sintetik pothuajse ka përfunduar, është bari më special, ka sistemin e ujitjes për shkak të temperaturave por njëkohësisht janë duke u zhvilluar edhe punimet edhe në tribuna, normalisht në të gjithë strukturën e brendshme për klubin, pjesën administrative, zhveshtoret, banjot dhe zyret tjera”, shtoi ai.
Morina tregon se kostoja e investimit është rreth 1 milion euro, të cilat janë investime nga Komuna e Malishevës, Ministria e Kulturës dhe Federata e Futbollit të Kosovës.
I pyetur për investimet e radhës të komunës në sport ai u përgjigj se janë duke planifikuar një tjetër fushë ndihmëse brenda komunës së Malishevës.
Mirëpo përkundër kësaj vështirësie, kjo skuadër e ka filluar shumë mirë sezonin sa i përket rezultateve pasi pas 4 xhirosh kryeson tabelën e Superligës së Kosovës me 3 fitore 1 humbje e gjithsej 9 pikë të arkëtuara.
/TV Malisheva