Në prag të takimit ndërmjet Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i dërguari amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar, ka thënë se pret nga palët të marrin seriozisht detyrimet e tyre, të dala nga marrëveshja gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, dhe të fillojnë përmbushjen e tyre për të shënuar përparim në zbatimin e saj.
Escobar thotë se “Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin fuqishëm dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian si mënyrë për të arritur një marrëdhënie paqësore dhe frutdhënëse ndërmjet dy vendeve”.
“Do të donim t’u kërkonim palëve t’i marrin seriozisht detyrimet e tyre nga kjo marrëveshje dhe të fillojnë të përparojnë me përmbushjen e detyrimeve ekzistuese dhe të mëparshme nga dialogu dhe nga marrëveshja dhe të fillojnë të shënojnë përparim këtë vit”, ka thënë ai për Zërin e Amerikës.
Ai është shprehur se për zgjedhje të reja në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, dorëheqjet e kryetarëve aktual janë rruga më e shpejtë dhe më e lehtë.
“Nëse doni të keni zgjedhje të reja me pjesëmarrjen e serbëve, mendoj se dorëheqjet janë rruga më e shpejtë, më e lehtë. Peticioni si nismë nuk është provuar ndonjëherë më parë. Në fakt, nuk ekzistojnë shumë nga rregulloret dhe ligjet për këtë. Megjithatë, po kërkojmë për çfarëdo mundësie brenda Kushtetutës, që do të mundësonte mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Po kërkojmë nga serbët që të marrin pjesë plotësisht në zgjedhje kur ato të vendoset të mbahen. Se si arrijmë deri aty, është çështje që do të diskutohet mes palëve. Por, gjithsesi besoj se dorëheqjet do të ishin më të shpejtat. Megjithatë, po e përcjellim situatën me shumë vëmendje” ka thënë ai..
Takimi mes dy kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të mbahet të enjten në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, pas disa muajsh tensionesh dhe përshkallëzimi në Kosovë.
/TV Arbëria