Sot mbushen gjashtë vjet kur tashmë ish-legjislatura e gjashtë e Kuvendit të Kosovës votoi pro qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Ramush Haradinaj.
Qeveria Haradinaj mori 61 vota, ku nga të pranishmit nuk kishte asnjë votë kundër dhe vetëm një abstenim nga Zafir Berisha.
Në votim nuk morën pjesë deputetet e LDK-së, Alternativës dhe Vetëvendosjes që braktisën sallën.
Në fjalën e tij në fillim të seancës parlamentare, tashmë kryeministri në dorëheqje Haradinaj prezantoi prioritetet e kabinetit të tij: forcimi i rendit dhe ligjit, anëtarësimi në NATO, integrimi, dialogu me Serbinë.
“Kosova sot rrezikohet nga rreziqe të reja e të vjetra, ndaj asaj i duhet së pari siguri e brendshme, forcim i rendit dhe shtetit ligjor. Vetë Kosova do të ndihet e sigurt vetëm me anëtarësimin në NATO dhe ne do të punojmë për ta çuar drejt NATO-s. Anëtarësimi në organizmat ndërkombëtare është vështirësuar, por ne do të punojmë edhe për këtë. Ne do punojmë në kohë rekord për implementimin e MSA-së dhe do të marrim statusin e vendit kandidat. Gjithashtu, ne do të forcojmë miqësinë me Shtetet e Bashkuara, një miqësi e përhershme dhe jo vetëm për kohë të vështira. Sa për rajonin, dialogu me Serbinë nuk ka alternativë”, deklaroi Haradinaj.
Ndryshe, ende pa mbushur dy vjet punë në detyrën si kryeministër, Ramush Haradinaj u detyra të japë dorëheqje për shkak të ftesës nga Gjykata Speciale në Hagë, pas së cilës u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit.
/TV Arbëria