Gjatë ditës së sotme ka pasur lajme dhe postime të shumta sa i përket biletave të ndeshjes mes Përfaqësueses së Kosovës dhe asaj të Zvicrës.
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) para disa ditësh bëri të ditur se të gjitha biletat për ndeshjen e Kosovës kundër Zvicrës janë shitur.
Por, pavarësisht njoftimit se biletat janë shitur, tani ka filluar të bëhet shitja e tyre në tregun e zi, dhe çmimet po prekin shuma tejet të larta.
Tani, kjo gjë e ka detyruar FFK-në të reagojë, duke njoftuar se biletat e ndeshjes Kosovë-Zvicër janë të personalizuara dhe nuk mund të transferohen te një person tjetër.
“Federata e Futbollit e Kosovës njofton edhe një herë opinionin se biletat e ndeshjes Kosovë – Zvicër janë të personalizuara dhe nuk mund të transferohen te një person tjetër. Në secilën hyrje të stadiumit funksionon sistemi digjital dhe do të bëhet kontrolli i poseduesve të biletave të personalizuara”, shkruante në njoftimin e FFK-së.
“Çdo abuzim me biletat do të paraqitet tek organet e rendit, me të cilat jemi duke bashkëpunuar ngushtë në parandalimin e keqpërdorimit të biletave për ndeshje. Andaj, FFK fton qytetarët që të mos bien pre e mashtruesve në tregun e zi dhe çdo abuzim me bileta ta paraqesin tek organet e rendit”, shkruante më tej në komunikatën e FFK-së.
Ndeshja mes Kosovës dhe Zvicrës do të zhvillohet të shtunën me fillim nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”.
/TV Arbëria