Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Sport > Cikalleshi: Kualifikohemi në Evropian nëse luajmë si një trup i vetëm

Cikalleshi: Kualifikohemi në Evropian nëse luajmë si një trup i vetëm

Kombëtarja shqiptare nis zyrtarisht sot përgatitjet dhe stërvitjet në kuadër të dy ndeshjeve ndaj Republikës Çeke dhe Polonisë, të vlefshme për Kampionatin Europian “Gjermani 2024”.

Në konferencën për mediat kanë dalë këtë të hënë sulmuesi Sokol Cikalleshi dhe mesfushori Nedim Bajrami, të cilët kanë folur për dy sfidat e rëndësishme që kuqezinjtë do të luajnë fillimisht ndaj çekëve në Pragë më 7 shtator ndërsa tre ditë më vonë ndaj Polonisë më 10 shtator në stadiumin ‘Air Albania’.

Sulmuesi Sokol Cikalleshi premtoi se Kombëtarja shqiptare do të japë maksimumin në këto dy ndeshje deçizive për kuqezinjtë ndaj Çekisë dhe Polonisë, ndërsa u shpreh se ëndrra e tij është që të arrijë sërish kualifikimin në finalet e një Europiani me Shqipërinë. Bomberi shqiptar komentoi situatën e mirë që po kalojnë të gjithë lojtarët e Kombëtares në klubet respektive, ndërsa foli edhe për fillimin e tij të mbarë në kampionatin turk me Koniasporin.

“Mendoj se ky grumbullim është ndër grumbullimet më të rëndësishme të Kombëtares gjatë gjithë këtyre viteve. Janë dy ndeshje që duhet të jemi shumë të fokusuar dhe angazhimi duhet të jetë maksimal. Për mua është kënaqësi e dyfishtë sepse e kam përjetuar një Europian dhe nëse do të përjetoj për herë të dytë, karriera me Kombëtaren do të kishte një kuptim tjetër. Shpresoj që si unë, ashtu edhe lojtarët e tjerë që e kanë arritur në 2016, të mundohemi të bëjmë diçka më shumë jashtë fushe për të dhënë mesazhin e duhur te grupi, që fokusimi dhe dhe angazhim të jetë maksimal.”, tha Cikalleshi.

Ai potencoi me tutje se këto dy ndeshje do të jenë vendimtare për Shqipërinë.

“Janë deçisive. Më e mira do të ishte të shënonim sa më shumë dhe të merrnim tre pikët dhe të ktheheshim të gjithë të gëzuar. Por nuk është kaq e lehtë sepse Çekia është një ekip shumë i mirë, që ka eksperiencë në Evropë. Nuk do të jetë e lehtë dhe për këtë arsye angazhimi duhet të jetë maksimal. Në grumbullimin që kaloi, ne thjesht bëmë detyrat e shtëpisë. Ishin dy ekipe nën nivelin tonë, por nuk duhet të kënaqemi nga kjo arritje. Kjo është java që do të dalin burrat në shesh, duke nisur nga ne në fushën e lojës. Kemi nevojë për mbështetjen tuaj dhe të tifozëve. Si një trup i vetëm, ia dalim të plotësojmë ëndrrën që ne kemi. Të kualifikohemi në Evropian. Mendoj se do të vuajmë shumë për të marrë rezultat pozitiv. Por jemi gati për këto dy sfida. Jemi në një moment të mirë. Fusha e lojës do ta tregojë. Angazhimi dhe shpirti në fushë nga ana jonë do të jetë maksimal, jua siguroj.”, tha ai.

/TV Arbëria

Powered by WordPress