Gjyqtari i pensionuar i Premier Ligës, Mike Dean, ka ngjallur polemika pasi ai rishikoi një gabim të VAR-it që ai e bëri sezonin e kaluar.
Asokohe, Dean ishte në krye të dhomës së VAR-it në ndeshjen ku Tottenhami ishte mysafirë i Chelseat në “Stamford Bridge”, në ndeshjen e dytë të sezonit.
Kalidou Koulibaly i dha Chelseat epërsinë në minutën e 19’ në atë ndeshje, duke e shënuar debutimin e tij me gol, para se Pierre-Emile Hojbjerg të barazonte rezultatin në minutën e 68’.
Nëntë minuta më vonë, Reece James kaloi Chelsean në epërsi, ku kishte festime emocionale nga trajneri i Chelseat asokohe, Thomas Tuchel.
Tuchel, dhe asokohe trajneri i Tottenhamit Antonio Conte, më herët gjatë ndeshjes ishin ndëshkuar me karton të verdhë, pas një përplasje për një ndërhyrje të Rodrigo Bentancur ndaj Kai Havertz.
Pika më e lartë e dramës erdhi kur Harry Kane shënoi golin e barazimit në minutën e 90+6’. Tuchel dhe Chelsea ishin të nervozuar që goli u lejua pasi që Cristian Romero qartazi i ngreh flokët Marc Cucurellas në zonën e penalltisë.
Gjyqtari Anthony Taylor e akordoi golin, me Mike Dean duke vulosur vendimin. Që atëherë ai ka pranuar se ka bërë një gabim.
“Është njëri nga ta që nëse do ta ktheja kohën, çfarë do të bëja? Do ta dërgoja Anthony Taylor te ekrani (i VAR-it). I thashë Anthonyt më pas: Thjesht nuk doja të dërgoja në ekran pas asaj që ka ndodhur në lojë. Nuk doja ta dërgoja sepse ai është shok si dhe gjyqtar dhe mendoj se nuk doja ta dërgoja sepse nuk doja më shumë pikëllim sesa ai kishte tashmë”, tha Dean.
Tuchel dhe Conte u përfshinë në një tjetër grindje pas ndeshjes, me gjermanin që më vonë vuante një pezullim për rolin e tij, siç raportohet nga “Athletic”. Dy trajnerët u shkarkuan më pas nga klubet e tyre përkatëse.
/TV Arbëria