Federata e Futbollit të Kosovës ka ndarë çmimin “Ylli i javës” për sulmuesin anësor të KF Malisheva, Drilon Hazrollaj.
Ky çmim për xhiron e 2-të të Albi Mall Superligës i ka takuar sulmuesit anësor të KF Malisheva, Drilon Hazrollaj pasi në ndeshjen kundër Fushë Kosovës ai pati një paraqitje briliante, duke shënuar 3 gola dhe duke asistuar në një tjetër gol. Hat-Tricku i Hazrollajt është i pari në këtë kampionat, ndërsa me këtë fitore Malisheva arkëtojë 3 pikë të reja duke qenë, pas dy xhirove, lidere në Albi Mall Superligë edicioni 2023/24.
Pasi mori këtë çmim, Hazrollaj u shpreh i lumtur që skuadra e tij e nisi mbarë edicionin e ri në elitën e futbollit në Kosovë.
“Çmimi ‘Ylli i javës’ është i pari për mua dhe sinqerisht jam shumë i lumtur. Kur shpërblehesh si më i miri i xhiros shtohet edhe motivi i punës. Falënderoj bashkëlojtarët dhe shtabin teknik të cilët më ndihmuan që unë të kem një performancë të tillë dhe të fitoj këtë çmim. E kemi filluar kampionatin mbarë dhe uroj që të vazhdojmë këtë ecuri pozitive edhe në xhirot e ardhshme”, ka thënë Drilon Hazrollaj për faqen zyrtare të FFK-së.
/TV Arbëria