Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Politika > Shkarkohet kryesuesi i Kuvendit Komunal të Rahovecit

Shkarkohet kryesuesi i Kuvendit Komunal të Rahovecit

Kuvendi Komunal i Rahovecit shkarkoi kryesuesin, Defrim Kafexhiun, i cili vjen nga Lëvizja Vetëvendosje në komunën që udhëhiqet nga kryetari Smajl Latifi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Nga 27 anëtarë prezentë në këtë seancë të jashtëzakonshme, 16 votuan pro shkarkimit të Kafexhiut, dhjetë ishin kundër ndërsa një abstenoi.

Në fjalën e tij para votimit, Kafexhiu deklaroi se nuk ka arsye për ta shkarkuar atë përpos që Latifi kërkon të jetë, edhe kryetar Komune, edhe kryesues i Kuvendit Komunal.

AAK, që fitoi 12 mandatë në zgjedhjet lokale të vitit 2021 në Asamble, arriti të mbledh rreth vetes për këtë mocion edhe katër asamblistë të tjerë për të formuar shumicën prej 16 votash. Këta që iu bashkuan AAK-së, Kafexhiu i akuzoi se e bënë për interesa personale.

Kafexhiu pati akuza të rënda ndaj Latifit duke thënë se kërkon një kryesues të Kuvendit që e dëgjon atë se si duhet të sillet në seanca.

Kafexhiu: Latifi do të jetë edhe kryetar Komune, edhe kryesues i Kuvendit

“Kryetari është i zgjedhur me shumicën e votave dhe i dal prej zgjedhjeve të rregullta, ama kryetari po do me votat e veta të udhëheq edhe Kuvendin. Duhet të mësoj dallimin. Duhet të mësoj rëndësinë e Kuvendit, Duhet të mësojë rëndësinë e të zgjedhurve të tjerë, sepse ne nuk jemi emëruar prej tij sepse qytetarët votuan edhe për Kuvendin, andaj duhet respektuar. E di që arsyeja për shkarkim është vetëm forma e qeverisjes së kryetarit, nuk po do me pas një organ institucional që ai të mos e diktojë, ai do një kryesues që e dëgjon kujt e tek me ia dhënë fjalën, kur t’i nxjerrë pikat në votim, e kur me mbyll seancën. Ai do me qenë edhe kryetar Komune dhe kryesues i Kuvendit, kjo është e pa tolerueshme”, deklaroi Kafexhiu.

Nismëtarja e këtij mocioni, AAK, në arsyetimin e saj tha se Kuvendi mund të funksionojë më mirë me një kryesues tjetër, por kundër kësaj u shprehën LVV dhe LDK.

Shefi i asamblistëve të AAK-së, Hasan Përboqi, në fjalën e tij tha se nuk kanë asgjë personale me Kafexhiun, por është një proces demokratik dhe po bëjnë veprimin e nevojshëm në interes të zbatimit më të mirë të programit politik me të cilën i kanë fituar zgjedhjet më 2021.

Përboqi: Duam të kemi funksionim më të mirë të Kuvendit

“Për të pasur funksionim edhe më të mirë, për të ndërtuar marrëdhënie edhe më të qëndrueshme dhe më të shëndetshme e më funksionale që mundëson zbatimin edhe më efikas të programit qeverisës të fituesit të zgjedhjeve lokale të vitit 2021, në këtë frymë për të vënë në shërbim të rrethanave për të jetësuar sa më mirë programin qeveris i cili u dedikohet qytetarëve tanë kemi ardhur në përfundim se kjo përpjekje është për të mundësuar një zhvillim normal politik i cili rrit edhe më shumë përkushtimin e rolit të Kuvendit”, deklaroi Përboqi.

Në anën tjetër, shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Leonard Morina, deklaroi se pozita në Rahovec po tregon mosdurim ndaj vlerave profesionale e intelektuale që i zotëron Defrim Kafexhiu.

Morina: AAK kërkon të kontrollojë gjithçka

“Para dy vitesh keni filluar procesin e shkarkimit të kryesuesit, për arse të vetme se ai nuk është nga radhët e AAK-së, duke joshur asamblistë nga subjekte të tjera nëpërmjet favoreve të ndryshme që t’ju bashkëngjiten juve si sasi por jo edhe si cilësi. Kërkoj nga delegatët nënshkrues të kërkesës të këtij mocioni të tregojnë se në cilat raste e ka shkelur rregulloren kryesuesi… Kjo është një mënyrë klasike për të kontrolluar gjithçka, për të sunduar dhe kontrolluar edhe Kuvendin, si organ më i lartë në nivel lokal”, tha Morina.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është shprehur kundër shkarkimit, duke thënë se po bëhet për të kënaqur kryetarin Smajl Latifi.

Krasniqi: S’ka arsye për shkarkim të kryesuesit

“Është për keqardhje kur në arsyetim nuk ka asnjë vërejtje por o duhet të thirret mocion. Mocioni ka një arsyetim, ka një bazë dhe ka një qëllim të përmirësimit përmes një ndryshimi. Nuk po shoh që ka qëllim përmirësimi përmes një ndryshimi por ka qëllime të kënaqjes së kryetarit që kur të thotë ndale seancën me pas një kryesues që e ndal seancën, lëshojë seancën ta lëshojë seancën.. Nuk ka të bëjë me ecurinë e Asamblesë komunale, nuk ka të bëjë me mos punë për Asamble komune, ose të shkeljes së demokracisë”, tha Burim Krasniqi, shef i asamblistëve të LDK-së.

Kuvendi Komunal i Rahovecit pritet të mblidhet gjatë ditës për të zgjedhur kryesuesin e ri.

/TV Arbëria

Powered by WordPress