Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Sveçla: Vuçiq është gënjeshtar kronik

Sveçla: Vuçiq është gënjeshtar kronik

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka quajtur gënjeshtar kronik presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq. Ai ka thënë se djali i tij, i cili dje ka qëndruar në Kosovë nuk është ndaluar tri herë nga Policia e Kosovës, por vetëm një herë.

Në konferencë për media, Sveçla ka deklaruar se i njëjti ka hyrë si qytetar i rëndomtë përmes pikës kufitare në Merdare dhe nuk i është gjetur armë gjatë kontrolleve të eskortës.

Ai ka treguar se i njëjti ka hequr bluzën me mbishkrimet provakative, pasi ishte ndaluar nga Policia e Kosovës.

“Ai në Kosovë ka hyrë si një qytetar i rëndomtë, do të thotë edhe sipas marrëveshjes së Brukselit por edhe praktikave të deritanishme për hyrjen e qytetarëve të rëndomtë nuk ka procedura të veçanta. Ai pastaj është shfaqur në Graçanicë me atë bluzë provokative, por Policia e Kosovës sipas informatave që më kanë dhënë, kanë marrë vendim që të ndalin dhe të kontrollojnë veturat të cilat janë sjellur në mënyrë të çuditshme. Atij i është kërkuar dhe gjë e cila është realizuar heqja e kësaj bluze me mesazh provokativ për shumicën e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Dhe me kaq e gjitha ka përfunduar, ata janë larguar për Serbi. Të them të drejtën, ne të gjithë e dimë që Vuçiq ka qenë ministër i propagandës në qeverinë e Millosheviqit, por se është gënjeshtar kronik po na i dëshmon për çdo ditë. Djali i tij nuk është ndalur tri herë nga Policia e Kosovës, është ndal vetëm një herë në dalje të komunës së Prishtinës në drejtim të Serbisë”, ka deklaruar ministri i Brendshëm.

Tutje, ai ka shtuar e i njëjti ka hyrë përmes pikës kufitare në Merdare dhe nuk është gjetur asgjë e dyshimtë në eskortë.

Qeveria e Kosovës mori vendim që organizatat që veprojnë në komunat veriore të vendit si “Mbrojtja civile” dhe “Brigada e Veriut” të shpallen organizata terroriste.

Kundër këtij vendimi ishte ministri serb Nenad Rashiq, e për këtë, ministri Sveçla ka thënë se nuk pajtohet me të por brenga e tij ishte në lidhje me hapat.

Sveçla ka thënë se kanë informacione të sakta se grupet të cilat janë tashmë të identifikuara nga institucionet e Kosovës, kanë kryer akte të shumta terroriste në pjesën veriore.

Ai ka renditur disa nga sulmet që kanë kryer këto grupe terroriste.

Më tej, ka shtuar se këto grupe janë mirë të organizuara dhe qëllim kanë rrezikimin dhe kërcënimin e sigurisë shtetërore.

Pas mbledhjes së Qeverisë, Sveçla ka shtuar se përmes këtij vendimi ndalohet veprimtaria e tyre në territorin e Kosovës.

“Përmes këtij vendimi në mënyrë të menjëhershme ndalohet veprimtaria në territorin e Republikës së Kosovës të grupeve të listuara në vendimin e qeverisë. Veprimtaria e tyre është e paligjshme dhe do të ndëshkohet në përputhje me legjislacionin në fuqi. Institucionet e Republikës së Kosovës do të ndërmarrin veprime adekuate për zbatimin e këtij vendimi në përputhje me procedurat dhe kornizën ligjore relevante si dhe praktikat ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Ai gjithashtu ka thënë se janë shpallur dy konkurse për komunitet jo-shumicë, janë dy konkurse për policët, ku sipas tij një numër i caktuar i pjesëtarëve kanë aplikuar.

“Tashmë trajnimi për kontingjentin e konkursit të parë është në përfundim e sipër, aty shumica janë serb më përkatësi etnike dhe shumë shpejt ata do të jenë pjesë e Policisë së Kosovës dhe do të shërbejnë në veri. Po ashtu edhe konkursi i dytë tashmë ka përfunduar në kuptimin e shprehjes së interesimit, aplikimit në të. Janë procedurat tjera të cilat, pastaj do të përcaktojnë se kush është i aftë për të qenë pjesë e Policisë së Kosovës”, ka thënë ministri i Punëve të Brendshme.

Ministri Xhelal Sveçla ka thënë se nuk është e pamundur hyrja e ndonjë elementi kriminal destabilizues rus dhe se për këtë nuk mund të garantojë.

Po ashtu, ka deklaruar se kufiri po ruhet më mirë se kurrë ndonjëherë.

/TV Arbëria