Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Mbi 80 gra e fëmijë u strehuan këtë vit në Qendrën për Mbrojtje në Prishtinë

Mbi 80 gra e fëmijë u strehuan këtë vit në Qendrën për Mbrojtje në Prishtinë

Objekti plot ngjyra e shumë dhomëshe bënë bashkë gra e fëmijë që e kanë të përbashkët dhimbjen. Aty improvizohet shtëpia e tyre, prej ku kanë dalë për të gjetur strehë pas dhunës.

Mbi 80 persona kanë qëndruar gjatë këtij viti në Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë, adresa e së cilës nuk bëhet publike për shkak të sigurisë së viktimave.

Riintegrimi i këtyre viktimave dhe buxheti jo i qëndrueshëm, sipas drejtoreshës Zana Hamiti, vazhdojnë të mbeten sfidë për ofrimin e shërbimeve. Ajo tregon se ka shumë raste të viktimave që vijnë për herë të tretë apo të katërt.

Hamiti thekson se kapacitetet për pranimin e viktimave janë për 20 persona dhe se ndodhë të tejkalohet kjo shifër. Megjithatë, shton se në raste të tilla bëjnë modifikime brenda hapësirës së qendrës.

Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve ofron shërbime për viktimat e dhunës në familje për regjionin e Prishtinës, përfshirë kryeqytetin dhe komunat si Podujeva, Lipjani, Fushë Kosova, Obiliqi dhe Drenasi.

Gjatë gjashtëmujorshit të parë në strehimore janë ofruar shërbime për gjithsej 83 raste. Që nënkupton nga këto komuna, sepse veç e veç nuk i kam ndarë. Prej 83 rasteve ku kuptohet që hyjnë nëna me fëmijë. Prej tyre 30 kanë qenë të moshës madhore gra, 27 djemë dhe 26 vajza. Krahasuar me vitet e mëparshme, me vitin paraprak thuajse është në të njëjtën vëllim është duke shkuar kërkesa për strehim. Ndërsa, vitet paraprake nuk ka pasur aq shumë kërkesa sa dy vitet e fundit. Vitin paraprak ka qenë kulmi i rasteve që kemi strehuar ndonjëherë, 171 raste për gjithë vitin kalendarik”, thotë Hamiti.

Shumë gra bashkë me fëmijët e tyre detyrohen të vijnë në strehimore, meqë nuk kanë ku të shkojnë.

Të rralla nuk janë rastet kur ato nuk kanë mundësi të bëjnë zgjidhje dhe detyrohen të qëndrojnë edhe më gjatë se që është e paraparë.

“E kemi një rregullore standard prej momentit kur pranohet deri në gjashtë muaj kanë të drejtë qëndrimi. Mirëpo, nëse atyre nuk ju bëhet ndonjë zgjidhje ato qëndrojnë më gjatë. Për momentin e kemi një grua që është që tetë muaj dhe ende nuk i është bërë zgjidhje dhe vazhdon të marrë shërbime. Pjesa më sfiduese është pjesa e riintegrimit, çka pas strehimores? Se viktimat nëse nuk e kanë një qëndrueshmëri financiare, një punë, një sigurim financiar ato prapë po kthehen tek dhunuesit dhe prapë po vazhdon cikli i dhunës. Që nënkupton që shpesh kemi raste recidive që vijnë për herën e tretë, katërt apo të pestë”, shton drejtoresha e Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve.

Hamiti thotë se edhe komunat e rajonit të Prishtinës duhet të ndjekin shembullin e kryeqytetit për të mbështetur financiarisht viktimat e dhunës në familje.

Qysh nga fillimi i vitit, strehimoret kanë kaluar nën ombrellën e Ministrisë së Drejtësisë. Hamiti shpreson për linjë buxhetore të qëndrueshme që të arrijnë të ofrojnë shërbime.

Hamiti thotë se fëmijët që qëndrojnë në strehimore, përveç atyre që konstatohet se janë në rrezik, vazhdojnë mësimin në shkollën më të afërt.

Udhëheqësja e Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë tregon se po strehojnë edhe viktima të dhunës seksuale, që më pas ofrohen shërbime psiko-sociale përmes psikologëve dhe kurse të ndryshme për punëdore, me qëllim që gratë të kalojnë kohën në aktivitete.

/TV Arbëria